Mund t’ju duket e vështirë për tu besuar, por një nga varësitë e shqiptarëve, qenka ajo ndaj rrobave të përdorura, ose siç ne i themi në përditshmëri, “gabit”.
Top Channel solli rastin e një gruaje nga Tirana të quajtur Bruna, rreth të 30-ve. Ajo tregon se gjithçka nisi krejt rastësisht. Pasi qëlloi që bëri disa blerje të mira në një dyqan me veshje të dorës së dytë, nuk ndaloi më kurrë.
“Dy ditë më vonë shkova sërish tek dyqani, mos kishin sjellë rroba të reja. Kuletën e kisha bosh një ditë, s’kisha as për t’i blerë fëmijëve. Shkova në shtëpi për të marrë lekë dhe kur dola prap e njëjta histori. Rastisa në një dyqan me rroba të përdorura dhe u futa. Edhe pse ndërkohë duhet të isha duke blerë gjëra për fëmijët.”- tregoi ajo.
30-vjeçarja rrëfeu se pa kuptuar gjendja po bëhej alarmante. Fiksimi për të blerë rroba të përdorura u bë aq i madh sa shpenzonte për gjëra që nuk i vishte kurrë. Kjo varësi, ju kthye në ankth, derisa nisi terapinë me psikologë.
“Bëra disa seanca. Mora dhe ilaçe për këtë ves. Tani e kontrolloj veten dhe qesh kur mendoj si rash kështu në kurth.”
Gjithsesi, rasti i saj nuk është i vetmi. Një anketim i Komisionit Evropian gjeti se mbi 60% e shqiptarëve kanë tendencën të blejnë rroba të përdorura dhe kjo jo për shkak se janë të varfër.
Mjeket psikiatre thonë se gratë krijojnë varësi ndaj blerjeve të panevojshme dhe pikërisht aty nis ankthi. Varësia ndaj ‘gabit’ trajtohet njësoj si varësitë e tjera; droga apo alkooli. Në vendin tonë raste të tilla janë në rritje. Mjekët tregojnë se brenda 1 muaji kanë trajtuar 10 gra, fiksimi i të cilave ishte kthyer në problem madhor.