Për momentin rubrika ''Edhe unë këndoj'' ka zëvendësuar rubrikën kushtuar këngëve pjesëmarrëse në ''Kënga Magjike'', ku puntatën e sotme ishte e ftuar Anxhela Peristeri në rolin e jurisë, fituesja e vendit të parë në edicionin e 19 të festivalit të njohur.
Duke shfrytëzuar rastin që e ftuar ishte Anxhela, Ardit Gjebrea lançoi spotin prezantues të edicionit të radhës së ''Kënga Magjike 2018''. Festivali i njohur do të festojë 20-vjetorin pas pak muajsh, gjë që do të sjellë surpriza të shumta. Me pak fjalë, do të jetë më magjike se kurrë.
Faza e parë e prezantimit të këngëve të përzgjedhura paraprakishit nga produksioni do të prezantohen nga 16 shtatori deri më 2 dhjetor 2018 në ''E diela shqiptare'', për të vazhduar më pas me 2 netët e gjysmëfinales dhe finalen e madhe.
''Kënga Magjike'' u krijua dhe u udhëhoq nga Ardit Gjebrea në fillim të qershorit të vitit 1999, festival ku fituese e parë nga juria profesioniste u shpall Elsa Lila me këngën ''Vetëm një fjalë’’.
Me kalimin e viteve, festivali u kthye jo vetëm në të preferuarin e simpatizantëve të muzikës, por edhe të publikut, vëmendja e të cilit kaloi kufijtë. Një pjesë e fituesve ndër vite kanë qenë shqiptarë të Kosovës, si Ema Bytyçi me ''Ku je ti’’, Genta Ismajli ''Nuk dua tjetër’’, Armend Rexhepagiqi ''Kur dashuria vdes’’, Eliza Hoxha në bashkëpunim me Rosela Gjylbegu rrëmbyen çmimin e parë me ''Rruga e zemrës’’.
Mund të konsiderohet jo vetëm festivali i këngëve, por edhe i performancave, i skenografisë, një mundësi e mirë promovimi për artistët e rinj dhe ata të afirmuar.
Padyshim festivali i këngëve që mbeten hit. Meqë ra fjala, ja lista e plotë e fituesve ndër vite, ndaj shkoni e ridëgjoni ç'tu dojë zemra.
1999: Elsa Lila - “Vetëm një fjalë”
2000: Irma e Eranda Libohova - “1000 ëndrra”
2001: Rovena Dilo e Pirro Çako - “Për një çast”
2002: Mira Konçi - “Një fjalë”
2003: Ema Bytyçi - “Ku je ti?”
2004: Irma Libohova - “Prapë tek ti do vi”
2005: Genta Ismajli - “Nuk dua tjetër”
2006: Armend Rexhepagiqi - “Kur dashuria vdes”
2007: Aurela Gaçe - “Hape veten ti”
2008: Jonida Maliqi - “Njëri nga ata”
2009: Eliza Hoxha e Rosela Gjylbegu - “Rruga e zemrës”
2010: Juliana Pasha e Luiz Ejlli - “Sa e Shite Zemren”
2011: Redon Makashi - “Më lër të fle”
2012: Alban Skënderaj - “E refuzoj”
2013: Besa Kokëdhima - “Tatuazh ne zemer”
2014: Aurela Gaçe e Young Zerka-"Pa kontroll"
2015: Aurela Gaçe - "Akoma jo"
2016: Rozana Radi - "Ma thuaj ti"
2017: Anxhela Peristeri - "E cmendur"