Unë nuk hyj kurrë tek “të fiksuarat”. Nuk jam nga ato që sapo blejnë fustanin e çojnë në rrobaqepësi që ta ngjeshin edhe më mirë pas trupit. Nëse më thyhet thoi, nuk shtrihem dhe pi ujë të ftohtë derisa të marrë veten, por mund ta shtyjë ashtu edhe dy ditë. Edhe në punë, kërkoj më të mirën, por nuk mund ta shtyj dikë të shkoj përtej potencialit të tij/saj, vetëm të kënaqë dëshirat e mia. Por kur vjen puna për të mobiluar shtëpinë dhe zyrat e mia, e vërteta është që kam ndërruar 5 arkitektë. Të gjithë të talentuar, të gjithë me emër, por me një problem të përbashkët: Nuk dëgjonin. Aq sa kur erdhi puna tek zyrat e reja të Anabel, vendosa që t’i konceptoja dhe t’i ekzekutoja vetë.
Do të doja të mirëkuptoja angazhimet paralele të shumë arkitektëve me disa projekte dhe kafet e nxituara me mua, por edhe unë kam një punë ku më duhet të punoj paralelisht me shumë klientë dhe departamente, ndaj nuk kam aspak tolerancë për profesionistë të cilët i paguaj për të krijuar diçka që do të jetë e duhura për nevojat dhe shijet e mia.
Momentalisht jam duke kërkuar për një projekt të mirë për rinovimin e butikut të ViaAnabel dhe më sugjeruan të shkoja në faqen e instagramit të studios arkitekturore “E2 Workshop”. Të jem e sinqertë, nuk është se instagrami më entuziasmon shumë, sepse çdo gjë në 3D duket fantastike dhe madje më duket që qëkur ka dalë kjo platformë, të gjithë krijuesit (Arkitektë/arredues/ planifikues eventesh etj) punojnë më shumë për fotot e bukura, sesa për ekzigjencat e klientit.
Studio “E2 Workshop” ka mbi 7 vjet që operon në kryeqytet dhe drejtohet nga arkitektët Ermal Llojaj dhe Julia Buza. Kjo studio punon si me projekte (për arkitekturë të jashtme) ashtu edhe me arredime.
Foto e parë që ndesha ishte ky projekt në 3D. Ok siç thashë nuk u emocionova nga projekti, por si ndjekëse e rregullt e risive të arkitekturës, më pëlqeu koncepti eco-friendly në këtë ambient. Jo sepse kishin vendosur jeshillëqe kudo (Se tashmë edhe ky koncept është keqkuptuar shpesh në Shqipëri), por sepse mënyra e vendosjes ishte aq natyrale dhe krijonte shumë ngrohtësi në këtë ambient-cafe. Kombinuar me ngjyra pastel, nuk e di se çfarë do të ishte më shlodhëse. Madje më duket sikur dëgjoj zhurma uji që vijnë nga dritarja në të djathtë.
Kam parë shumë projekte në Facebook dhe Instagram dhe të jem e sinqertë, nuk para jam emocionuar. Diku në shijet e mia, shihja gabime. Një arkitekt e tepronte me perdet, tjetri qëndronte vetëm në dy kombinime materialesh apo ngjyrash, të tjerë në vend që të zmadhonin hapësira i zvogëlonin ato. Dhe në total, nuk ndjeja atë sensin e “rrezikut” që unë e adhuroj dhe e shquaj për së largu tek një artist. Kjo nuk është foto e shkëputur nga “Elle Decor” por e një apartamenti në Tiranë, arreduar nga arkitektët Julia Buza (Yey! Një vajzë e talentuar!) dhe Ermal Llojaj. Tani sa arkitektë njihni ju që do të propozonin një tavolinë druri (që duket si e papunuar) me karrige bojëqiell pastel për ngrënie dhe pranë 3 pasqyra me skelete metali? Do të duhet të jesh shumë mendjehapur që të pranosh një kombinim të tillë, por kur e sheh të realizuar, realisht a nuk do të doje që të ftoje çdo ditë për çaj çdo mik që ke vetëm të të adhuronte këtë mjedis?
Shikoni këtë dhomën tjetër të ndenjies! I keni parasysh apartamentet tona që nuk kalojnë 3.5 m lartësi? Kjo dhomë duket sikur e ka pamjen nga kulla “Eiffel” në një nga ndërtesat e vjetra pariziene që shkojnë deri në 5 metra lartësi.
Pastaj siç thotë një shprehje anglisht “Djalli fshihet në detaje” dhe çfarë detajesh se! E mbaj veten për shumë të kulturuar nga bota e arredimit, por jam pa fjalë me këtë veshje mermeri në muret anësore dhe dizajnin e murit qëndror. Për të mos folur për atë kolltukun vishnje të lëkurës që është një mrekulli dhe vetëm një arkitekt me shije të hollë do të mund ta sugjeronte.
Ajo çfarë më pëlqen shumë tek punët e "E2 Workshop" është se çdo arredim ka ajër! Shumica e apartamenteve tona nuk i kalojnë të 100 m2 dhe psh kjo dhomë që duket si e shkëputur nga katalogu i një hoteli nordik me 5 yje, të jep përshtypjen e një hapësire të madhe. Për të mos folur për mobiljet dhe veshjen e murit. Pikërisht tek veshja e murit dua të ndaloj. Për këtë dua arkitektë. Unë mund të shoh shumë nëpër revista, por ndonjëherë është arkitekti i mirë ai që sheh përtej asaj që kërkoj unë dhe sjell diçka autentike. Sa prej jush realisht do të guxonin të vinin gishtin tek kjo veshje, po ta shihnin? Shumë pak. Por shiko sa bukur duket e kombinuar me mobiljet ovale dhe ngjyrën e gjelbër të hapur.
Kalojmë edhe pak tek bizneset. "E2 Workshop" kanë projektuar dhe arreduar me dhjetëra biznese. Bizneset janë të vështira. Ato duhet të jenë në funksion të shërbimit që kanë. Një arredim i shëmtuar ndikon edhe tek gjendja e klientëve. Të paktën unë i besoj shumë kësaj filozofie. Ky bar ka dy elementë që nëse kombinohen gabim apo tej-përdoren mund të të krijojnë shqetësim. Ngjyra e zezë është shumë elegante si ngjyrë, por nëse teprohet me gold, ajo rrezikon të duket si ato vajzat që kombinojnë fustanet me termina gold me bizhu të rënda. Nuk ka asgjë kitsch në këtë arredim, gjithçka është aty ku duhet të jetë. Lokali të duket si një shkeputje nga realiteti, sikur sa hyn do të dëgjosh një muzikë të ëmbël jazz dhe kamarieri do të të sjellë një whiskey të ngrohtë. Nejse imagjinova shumë.
Arredimi duhet të krijojë gjendjen që do dhe në këto SPA, arredimi i "E2 Workshop" të arratis nga zhurmat e botës së jashtme.
Unë nuk e dija që dyqani i kremërave “Kedma” është gjithashtu një vepër e "E2 Workshop". E admiroj sa herë më bie rruga andej në Bllok.
Salloni “Diverso” është një tjetër mrekulli e “E2 Workshop”. As nuk do ta kuptoni nga kjo qetësi e krijuar falë këtij arredimi minimalist, që ky sallon ndodhet në një nga zonat më kaotike të Tiranës, Blloku. Ja ku kuptuat edhe një rregull se si të zbukurohesh: Shkoni në një ambient më dritë të mirë dhe me ngjyra të hapura!
Ndoshta shkruajta shumë! Por siç thashë më parë, jam një adhuruese e arkitekturës (për së largu) dhe besoj, kam përftuar aq eksperiencë dhe kam aq nuhatje sa të dalloj të mirët. Dhe jo vetëm sepse arredojnë bukur. Unë arredoj gjithë ditën bukur tek aplikacioni i famshëm “DesignHome”. Arredohet bukur edhe duke parë Pinterest apo duke kopjuar direkt revistat e famshme.
Tek punët e "E2 Workshop" unë shoh arkitektë artistë dhe tmerrësisht efiçentë në përdorimin e hapësirave. Padyshim duhet të jenë arkitektë që dëgjojnë. E kam provuar në kurriz sa e vështirë është kur nuk të dëgjojnë dhe mbi të gjitha janë para të humbura kot.
Por edhe vetë, pavarësisht se sa vetë-siguri mund të kem akumuluar, kuptova që nuk bëhet dot. Shpesh shpenzon më shumë duke prishur e ngritur gipse, duke kërkuar nëpër gjithë Tiranën për mobilje që të hanë një kohë shumë të madhe nga punë të tjera. Thjesht duhet të gjesh studion e duhur. E me këto që pashë, absolutisht vendosa që arredimin e ardhshëm të butikut ta bëj me “E2 Workshop”. Ju po e shihni edhe vetë: A ka arredime më të këndshme e më stimuluese se këto këtu?
Ose një ëndërr e bukur për një dhomë ndenje që në thjeshtësinë e saj, duket si art.
Hey, para se t’ju marrë gjumi, hidhini një sy faqes në Instagram.
