Kriteret për një vend punë? Shkollimi, eksperiencat e punës, ndonjë specializim plus, trajnime, pjesëmarrje në seminare etj. Ok qëndrojnë, por s’janë gjithçka. Punëdhënësit i nevojiten edhe ndjekësit e tu në Instagram.
Që ta sqarojmë në fillim, kjo vlen për ato profesione që kanë lidhje me rrjetet sociale, me publikun, me komunikimin me ta, me kinemanë, me muzikën etj. Gjithnjë e më shumë, përveç talentit, po bëhet kriter i rëndësishëm rritja e numrit të ndjekësve në Instagram si një mundësi më shumë për të fituar një vend pune apo një rol në projekte të ndryshme kinematografike.
Aktorja Samantha Colley deklaroi se nëpër audicione e pyesin në lidhje me numrin e ndjekësve në Instagram, gjë që ajo e konsideron të turpshme. Ylli i “Genius: Picasso” shtoi se kolegët e saj po përdorin imazhin e tyre në rrjete sociale si një mënyrë për të të marrë vendin e punës. Është strategji e thjeshtë: “Kam 1 milion ndjekës. Ti më punëson mua, unë të garantoj 1 milion shikime.”
Një fenomen i tillë duket se është përhapur masivisht, gjë që e ka pohuar edhe aktorja britanike Gemma Arterton, e cila u njoh shumë pas shfaqjes në filmin “St Trinian” dhe “Quantum of Solace”.
“Kam vendosur të luftoj kundër këtij trendi dhe po fshi gjithë aplikacionet e rrjeteve sociale nga telefoni im”, tha ajo.
Tani t’ju pyesim pak në lidhje me këtë fenomen, ç’mendim keni?