Tre netët e Eurovision 2018 në Lisbonë, Portugali, kanë qenë më të lirat për t’u organizuar dhe financuar këto dhjetë vitet e fundit. Jo se portugezët janë shumë të zotët me paratë, por thjesht i kishin treçerekun e gjërave gati. Altice Arena është ndër më të mëdhatë në Europë dhe mban 20 mijë njerëz. Portugalia ka mikpritur evente si Web Summit dhe UEFA Euro 2004 Final, kështu që transporti dhe strehimi janë dy fusha që s’kanë nevojë për zhvillim të posaçëm me rastin e Eurovisionit.
Vitin që vjen, festivali do të mbahet në Israel, ku arena më e madhe ndodhet në Jerusalem. Mban 11,400 njerëz. Israeli fitoi dhe zv. Drejtori i RTSH, Martin Leka u mërzit për arsyen e vetme se fitoren e meritonte Eugent Bushpepa.
Le të mendojmë një skenar imagjnar, ku Shqipëria fiton vërtet. Ku do të mbahet festivali? Pallati i Kongreseve mban 2000 njerëz, stadiumi i ri s’është përfunduar dhe është i hapur. Sheshi Skënderbe është goxha i madh, por një festival i të tilla përmasave kërkon tjetër gjë. Gjë, që ne nuk e kemi dhe kërkon shumë për t’u ndërtuar. Azerbajxhani, përshembull, u gjend në pozitën tonë hipotetike në 2012 dhe harxhoi $350 milion për të ndërtuar Baku Crystal Hall me kapacitet 12 mijë persona.
European Broadcastin Union financon me sa të mundet projekte të tilla, por kurrsesi të mbulojë gjithë kostot e arenës apo anës organizative. Kështu që, barra e një arene mbetet mbi shtetin fitues.
Së dyti, a do të ishte e aftë RTSH të organizonte tre netë gjigande pa miqësira, pa hatërmbetje? A do të mundte të merrte regjisorët, skenografët, skenaristët, teknikët më të mirë në vend për ta bërë ashtu si duhet? Apo do të punësonte të jashtëm shumë herë më të shtrenjtë për të shmangur lëndimet e ndjenjave? As këtu situata nuk duket optimiste.
Së treti, a ka Tirana infrastrukturë mjaftueshëm të zhvilluar sa për të përballuar atë fluks turistësh në një periudhë të shkurtër kohore? Në Lisbonë u pritën plot 30 mijë turistë ditët rreth festivalit. I njëjti numër njerëzish në Tiranë do të haste vështirësi në transport, gjetje hotelesh, hostelesh e veprimtarish për të bërë në kohën e lirë. Tirana nuk është kurrsesi qyteti turistik që pretendon të jetë.
Përveçse është nder të fitosh Eurovisionin, ideja qëndron tek fitimi afatgjatë. Edhe nëse shpenzohet për ndërtimin e një arene e gjithë të tjerave, a do të na shpërblehej me turizëm të shtuar dhe të qëndrueshëm në afatgjatë? Të dhënat thonë jo. Në krahasim me vlerat marramendëse shpenzuar për festivalin, kthimi nga turizmi është thuajse i papërfillshëm.
Shqipëria s’ka ende b*thë ta fitojë Eurovisionin, por thjesht në aspektin teknik sepse zëra të zotë kemi pafund. Ki kujdes me gjërat që dëshiron. Ndonjë ditë mund të bëhen realitet dhe pastaj s’do të dimë nga të kthejmë sytë. Ne për ndërtimin e një hekurudhe Tiranë – Durrës na u desh të merrnim borxhe tek BERZH, imagjinoni për Eurovisionin ç'duhet të bëjmë.