Çfarë po ndodh rreth nesh

Histori rozë në selinë rozë mes Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit

13 Shtator 2014

Histori rozë në selinë rozë mes Olta Xhaçkës dhe

Një miqësi speciale duket se është krijuar brenda Partisë Socialiste. Miqtë e tyre të përbashkët në PS janë në dijeni të një historie rozë, që po lulëzon në selinë rozë, mes dy deputetëve të Partisë Socialiste, Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka. 

Miqtë e tyre të përbashkët flasin se ekziston më shumë se një miqësi e thjeshtë mes kolegësh, pasi ata shihen gjithmonë bashkë jo vetëm në mjediset e Kuvendit, por edhe jashtë tij. Dhe natyrisht gjithçka mund të ndodhë, pasi të dy si persona "single" tashmë, nuk i pengon asgjë të kenë diçka me shumë me njëri-tjetrin, nëse kanë një "feeling" siç flitet në rrethin e tyre miqësor.

E këtë fillim vjeshte, më shumë se fjalët që thuhen për ta, flet prania në dasmën më të përfolur të fundjavës që shkoi, atë të ministrit Erion Veliaj. Olta dhe Artani janë fotografuar të dy, të kombinuar me veshjet shik, ndërsa ishin ulur vetëm në një tavolinë në darkën e organizuar në Kalanë e Gjirokastrës, ku morën pjesë shumë politikanë të njohur. 

Dihet që Olta është një mikeshë e hershme e Erionit, që në shkollë tetëvjeçare e më pas në kohën e "Mjaft", ndaj në këtë darkë speciale të mikut të saj ka preferuar të jetë e shoqëruar. Foton e të dyve në tavolinën ku ishin ulur bashkë e ka postuar në profilet e tyre respektive në Facebook, mikesha socialiste, Keti Bizhdari. Edhe pse duket si një fotografi e bërë pa mendje nga të dy, atyre u ka pëlqyer si foto përderisa kanë dhënë ok-in për ta shpërndarë në rrjetet sociale. 

Olta dhe Artani 10 vite diferencë moshe, dy vitet e njohjes brenda partisë

E ardhur nga Lëvizja “Mjaft”, Olta Xhaçka është konsideruar ndër deputetet që Kryeministri Edi Rama ka besim të plotë, duke e nxjerrë herë pas here në konferenca për mediat. Të dy janë zgjedhur deputetët të Kuvendit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, respektivisht Olta për qarkun e Korçës dhe Gaçi për qarkun e Tiranës.

Ata kanë një diferencë moshe prej 10 vitesh nga njëri-tjetri, duke pasur parasysh faktin që Gaçi në maj ka festuar 45-vjetorin, ndërsa Olta bën 35 vjeç në 25 dhjetor të këtij viti. Hyrja e tyre në politikë vjen nga formime të ndryshme kulturore dhe arsimore, ndërkohë që kanë të përbashkët vitet që kanë kaluar jashtë Shqipërisë.

Studimet e larta bachelor dhe master Olta i përfundoi në Clark University të Shteteve të Bashkuara për Shkenca Politike , ku u diplomua me titull nderi, dhe ku më pas punoi si hartuese projektesh për disa organizata joqeveritare. Pas kthimit në Shqipëri, Olta punoi si lektore pranë një universiteti privat në Tiranë dhe po ashtu, ka qënë aktive si veprimtare e shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes.

Ndërsa emri i Gaçit para dy vitesh u komentua në media për dhënien fund të martesës së tij disavjeçare me Praverën, martesë nga e cila ka dy fëmijë. Studimet e tij janë larg politikës, pasi është diplomuar për Skulpturë në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe u angazhua si activist në lëvizjen studentore në vitet 1989-1990. Pas disa vitesh të kaluara në emigracion dhe një aktiviteti të gjatë në sipërmarrje private, angazhohet në Partinë Socialiste dhe shërben si drejtues politik i disa njësive në rrethin e Tiranës.

Urojmë që politika të ketë qënë një ogur i mirë edhe për jetën e tyre sentimentale.

Burimi: Panorama Plus