TV Mania

Hajrie Rondo në sytë e së bijës, gjashtë muaj pas vdekjes

6 Prill 2018

Hajrie Rondo në sytë e së bijës, gjashtë muaj pas

Klea Konomi ishte e ftuar dje në Pasdite në Top Channel për të folur për nënën e saj, aktoren Hajrie Rondo, gjashtë muaj pas ndarjes së saj nga jeta.

“Më mungon telefonata e parë që ime më më bënte çdo mëngjes. Bëhej merak deri në ekstrem, jo vetëm për ne, por të gjithë njerëzit e saj të dashur. I merrte motrat e saj disa herë në telefon, jo vetëm ne fëmijëve. Arrinte deri në atë pikë sa na pyeste a kemi ngrënë mëngjes, a jemi veshur, mos kemi ftohtë, mos janë sëmurë fëmijët, kujdes kur ecën, hip në trotuar, kujdes makinat. Bezdisesh ndonjëherë. Por kur të mungon kjo bezdisje, e kërkon,” tha Klea për Juli Krisafin

Në katër vitet e fundit të jetës, Hajrie Rondo luftoi një betejë të fortë me kancerin. Në këto ditë të vështira i qëndruan pranë e bija dhe bashkëshorti:

“I qëndruam pranë sepse ajo s’kishte nevojë vetëm për ndihmë nga ana fizike, por edhe nga ana psikologjike, shpirtërore.”

Hajrie Rondo në sytë e së bijës, gjashtë muaj pas

Klea tregon se prindërit e saj dëshironin një jetë të qetë pas vitesh të tëra punë, por kjo paqe ishte jetëshkurtër:

“Në momentin që dolën të dy në pension, ata ndërtuan një vilë në Himarë, sepse donin ta jetonin pleqërinë pranë detit dhe ajrit të pastër, por fati e deshi kështu.”

Klea ka dy fëmijë të cilët ishin të lidhur me gjyshërit. Tani që gjyshja nuk është më, Klea thotë që e kërkojnë:

“Para një muaji m’u desh të shkoja tek babi në Himarë dhe mora djalin e vogël që është tre vjeç dhe në momentin që hyri në shtëpi filloi ta kërkonte. Shkoi në kolltukun që rrinte mami dhe më pyeste ‘ku është’. Vajzës që është 12 vjeçe nuk i treguam. U munduam të mos hapnim televizorin, të paktën ditët e para deri sa të gjeja mënyrën t’ia bëja pak më të trishtë. Ajo e kishte marrë informacionin nga shokët në shkollë. Më shikonte në sy dhe nuk fliste. Pastaj erdhi një moment dhe më tha ‘po nëna nuk është më?’ Ia shpjegova me gjithë mënyrat që të mos ia bëja të tmerrshme.

Hajrie Rondo në sytë e së bijës, gjashtë muaj pas
Tartufi - Molier (2006)

Të dyja aktore, Hajrie Rondo dhe Klea Konomi luajtën për herë të parë në skenë në vitin 2006, Tartufin e Molier. Klea tregon se ishte shumë e vështirë të punoje më mamanë:

“Ishte shumë kritike deri në imtësi. Edhe kur s’kishim dialogje bashkë, shihja në avantskenë dy sy që më gumëzhinin si bletë. Ndonjëherë gjatë interpretimit shiheshim sy më sy dhe na kapte gazi. Mundoheshim ta kamuflonim dhe vazhdonim dialogun me kurriz nga njëra-tjetra.”

Hajrie Rondo në sytë e së bijës, gjashtë muaj pas
Hajrie Rondo dhe Klea Konomi

Këshillat më të mira në karrierë, Kleas sigurisht ia dha e ëma:

“Mundohu të jesh sa më e natyrshme në atë që bën. Elemino teatralitetin. Ajo ka qenë shumë energjike, shumë e ndjeshme, meraklie dhe të dyja nuk falnim gjë kur vinte puna tek profesioni ynë”.