Shohim që dikush ka lyer flokët dhe e përgëzojmë për fijet e sapobëra. Pastaj kuptojmë që nuk janë thjesht fije, janë ombre jo kot. Sa mësojmë që kësaj gjëje i thonë ombre, del dikush tjetër, të bën lëmsh e të thotë se nuk i ka ombre por shatush.
Kushdo që nuk e kuptoi kurrë se ku qëndronte dallimi ta marrë vesh tani e të mos bëjë më gafë të këtyre përmasave herën tjetër.
Balayage
Balayage është një teknikë që ndryshon rrënjësisht dukjen e flokëve duke sjellë një ndriçim total dhe theksim të krejt ngjyrës.
Ndryshe njihet si pikturimi i flokëve pasi ka për qëllim të krijojë disa reflekse të përshkallëzuara, shumëdimensionale dhe mbi të gjitha, natyrale!
Që të kuptohemi më mirë mes nesh, ideja e balayage- it është që nuancat e ndryshme të bashkohen sa më mirë me njëra- tjetrën dhe të mos duket e ndarë me thikë kufiri i një ngjyre me një tjetër.
Disa stilistë do të përdorin zarfë alumini, disa të tjerë rrjetë, por ç’rëndësi ka kjo. Cilado qoftë teknika, e gjitha quhet BALAYAGE!
Ombre
Kur vjen puna te ombre gjërat janë si më të thjeshta. Të gjithë e dimë se konsiston në të paturit kryesisht dy ngjyra drastike: një e errët (përgjithësisht nuancat e kafes) dhe tjetra shumë e çelët.
Ombre- ja nënkupton se i gjithë floku do t’i nënshtrohet procesit të lyerjes dhe se do të ketë një vijë ndarëse të qartë se ku fillon njëra ngjyrë dhe ku tjetra. Për ta realizuar këtë vjen në ndihmë teknika e balayage- it.
Shatush
Konsiderohet një teknikë disi më e shëndetshme për flokun se të tjerat, për aq kohë sa në ndryshim nga ombre, rrënja e flokut nuk lyhet.
Mund të luash sa të duash me pjesën e poshtme, me efekte të ndryshme por pjesa e sipërme mbetet e paprekur.
Sombre
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto listës lëmsh e li i bashkohet edhe sombre. Është një nënlloj i ombres, që ndjek të njëjtën filozofi: majat shumë të çelëta, por nuk është aq strike për sa i përket ngjyrave.
Në pjesën e errët të flokut mund të spikasësh fare lehtë praninë e disa fijeve të verdha. Kjo e bën që floku të duket shumë më shumë natyral.
Babylights
Në këtë rast kemi të bëjmë me asgjë tjetër veçse disa mini- fije që synojnë të imitojnë krejt natyralisht fijet e zbehta ngjyrë gruri që kishit në fëmijëri.
Colormelt
Pasi u përpoqëm ta shpjegonim teknikisht colormeltin u dorëzuam ndaj thjesht po ju tregojmë që është kjo gjëja këtu.
Po patë ca flokë si të tilla, ngrini dorën shpjt dhe përgjigjuni: Colormelllttttt!
Po që lyerja e flokut qenka një shkencë e tërë? Bëhuni gati kemi një emër tjetër për ju: Ecaille
Pastaj duke kërkuar më shumë na doli dhe termi "bronde" dhe meqë s’mund ta përshkruanim edhe këtë me “fije natyrale” apo “ndriçim i lehtë” siç bëmë me tjerët thamë më mirë ta shihnit vetë.
Tani shpejt një pyetje të thjeshtë, si quhet kjo lyerja këtu?
Morali i gjithë kësaje? Mos shko asnjëherë t’i thuash parukierit se dëshiron ombre apo shatush, mos u ngatërro me këto gjëra. Merr një foto me flokët e preferuar dhe tregoja, lëre ta zbërthejë vetë ai. Është sikur të tentosh të lexosh recetën e mjekut!