Historia Ime

Nëse është vajzë, do e quajmë Anabel..

25 Gusht 2014

Nëse është vajzë, do e quajmë Anabel..

Historia e Emës dhe Robertit u bë e njohur për publikun pasi Ema, vendosi që t'i thoshte partnerit të saj se do të bëhej baba, nëpërmjet faqes së Anabel. Kjo është letra e Robertit:

Anabel, meqë në faqen tuaj mora vesh lajmin më të gëzueshëm të jetës time, atëherë do të doja që në mesazhet që do të publikoni pas orës 21, të ishte dhe historia jonë. Kjo është një nga arsyet pse po e ndaj me ju dhe gjithe fansat tuaj jetën time dhe te Emës. Arsyeja e dytë do të dalë në fund të këtij përshkrimi, të cilin do mundohem ta bëj sa më të shkurtër.

Unë jam Roberti, 24 vjeç. Deri në moshën 3-vjeçare kam jetuar në jetimoren e Vlorës, derisa Zoti dërgoi dy njerëz të mrekullueshëm për mua dhe ja ku jam sot: me një familjë që më rriti me dashuri dhe më shkolloi. Pak vite pasi shkova për të jetuar me ta, erdhi në jetë një fëmijë në shtëpine përballë nesh. Ishte Ema.

Mami ndonjëherë qesh me ne dhe më tregon se sa mirë shkonim që në fëmijëri. Babi im dhe babi i Emës ishin miq. Babi im drejton një kompani makinash të mëdha transporti, ndërsa babi i Emës ishte punëtor në këtë kompani. Kur Ema mbush 13 vjeç, unë 18 atëherë, pikërisht atë natë që kishim dalë për të festuar (ishim në Himarë), makina e tyre përplaset dhe prindërit e Emës humbin jetën. Ema u dëmtua në shtyllën kurrizore (por falë Zotit të madh tani është mirë). Ne ishim pas tyre. E kam si tani në mendje imazhin e tmerrshëm të asaj nate. Babi im nuk pushonte së qari, mami po ashtu. Unë u shokova. Çdo shpenzim në spital, por edhe për varrimin e tyre, babi im e hoqi pa pikën e dyshimit, se di pse ndihej edhe pak fajtor.

Problemi ishte Ema. Një fëmijë 13 vjeç, që kishte vetëm dy gjyshër (nëna e saj e paralizuar), një hallë dhe një teze. Askush nuk e mbajti Emën. Gjyshërit vuanin, kur thoshin që s’mundeshin, tezja s’kishte mundësi ekonomike, siç na thanë dhe halla nuk donte, nuk e lejonte i shoqi. Një pjesëtar i ri i shtohet familjes tonë. Zoti i ka bërë prindërit e mi për të ndihmuar njerëz. Janë ëngjëj të zbritur në Tokë.

Ja ku jemi sot, unë kam mbaruar për menaxhim biznesi dhe punoj me babin, Ema vazhdon infermierinë (se di ç’do bëj tani që presim një bebush). Ky fëmijë nuk është planifkuar, por është bekimi më i madh i Zotit. Shumë na kanë sharë apo menduar se ne s’duhet të jemi bashkë, se jemi si motër e vëlla, por ne duhemi dhe s’jemi të një gjaku.

Ky është 'romani i dhimbshëm i joni', siç e quan Ema, por ekzistokan fundet e lumtura. Prandaj, miq të kësaj faqeje Ema e ndau gëzimin e saj kaq shpejt. Aq shumë ka vuajtur në këtë jetë, sa gjithmonë mendon se kur e ndan lumturinë dhe dhimbjen me të tjerë njerëz, e para shtohet, ndërsa e dyta lehtësohet. Faleminderit edhe njëherë të gjithëve për urimet tuaja dhe kurrë mos kalofshi sprova në jetë si këto tonat edhe pse ne ia dolem. (Ramë dakort me Emën për emrin Anabel. Nëse është vajzë, ia vlen:)