E keni vënë re si në ditët sot të gjitha janë kurva? Dhe nëse ti je vajzë dhe nuk ke sulmuar një vajzë tjetër si kurvë, atëherë me siguri je kurvë edhe vet. Se çfarë është ‘të jesh kurvë’, me siguri s’do ta marrim vesh kurrë. Fjalori shqip-shqip e shpjegon ‘kurvërinë’ si ‘dukurinë e shëmtuar kur gratë shesin trupin e tyre për të siguruar mjetet e jetesës’, pra prostitucion.
Mbaj mend kur më kanë quajtur për herë të parë kurvë, diku nga klasa e gjashtë dhe s’di të them sa jam dëshpëruar. Asokohe flisja me çunat e klasës paralele, ndërkohë që vajzat e klasës time mësonin në pushimin mes orëve për lëndën e radhës. Nja një javë nuk u fola më fare, madje përshpejtoja hapin nëse ndonjëri prej tyre do tentonte të më fliste. Por s’vonoi shumë dhe u ktheva në origjinë. Më pëlqen muhabeti me çunat, edhe ça?
Më kanë quajtur shpesh kurvë pas asaj dite dhe kjo më ka bërë edhe më të ndërgjegjshme rreth përdorimit të këtij termi. Çfarë është kurvë dhe çfarë duhet të bëj unë që të mos jem e tillë?
1. Shumë njerëz bëjnë seks para se të jenë gati. Kjo nuk i bën kurva.
Shumë vajza zgjedhin të bëjnë seks në takimin e parë, po s’di pse kjo shoqërohet me një ndjenjë faji të pashpjegueshme. Njerëzit bëjnë seks, edhe kur nuk janë gati. Mbase nuk është gjëja më e zgjuar për të bërë, por kujt nuk i pëlqen të rrezikojë pak? Pastaj pse një djalë përgëzohet me një ‘të lumtë ka*i plako’ kurse vajzat kryqëzohen? Gratë janë më paragjykuese në këtë pikë, sepse janë më konservative se burrat. Kjo sepse janë mësuar ndër breza se seksi është armiku i reputacionit të një gruaje.
2. S’mund ta etiketosh dikë si kurvë, sepse poston foto seksi në Instagram.
Rritemi duke mësuar se jemi aq të mira sa trupat tanë. Se që të jemi tërheqëse, të vlerësuara dhe të dëshiruara duhet të jemi seksi. Pastaj kur përfundojmë duke publikuar foto seksi në Instagram, etiketohemi si kurva vetëm sepse kemi mësuar rregullat e ndërlikuara të rrjeteve sociale.
3. Gratë shajnë njëra-tjetrën, sepse kanë frikë mos paragjykohen vetë.
Jetojmë në një shoqëri partiarkale dhe gratë përpiqen të gjejnë vende ku mund të përshtaten dhe të jenë të pranueshme. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, fatkeqësisht, është duke ulur dikë tjetër. Për sa kohë ka ‘kurva atje jashtë’, ti je e sigurt, sepse nuk je njëra prej tyre. Prandaj është kaq e thjeshtë ta përdorësh si term.
4. Vetëm sepse dikush vishet në mënyrë provokuese s’do të thotë që është kurvë, apo që e kërkon vetë!
Ka me dhjetëra raste kur përdhunimet justifikohen e falen, sepse viktima e ka provokuar vetë agresorin duke ekspozuar zonat intime. Le të bëjmë diçka të qartë, unë mund të vishem si të dua për sa kohë ndihem mirë me veten, dhe burrat s’mund të vazhdojnë të fshihen pas reputacionit të ‘kafshës që s’mund të përmbajë instiktet’.
5. Ka standarde
Se një vajzë është selektive me personat që zgjedh të flasë, kjo nuk e bën të përdalë. Se ka dëshirë të frekuentohet me një person me sens humori, ambicioz dhe që e di ku do të shkojë, kjo aq më pak. Sepse e di çfarë do në jetë dhe ku do të shkojë dhe se ka nevojë për dikë që e do për atë që është dhe nuk përpiqet ta ndryshojë. Normal që do të bëjë block në Instagram, WhatsApp, Viber sepse ti nuk i intereson dhe nëse do të quhet ‘kurvë’ për këtë, ashtu qoftë.