Erion Veliaj do që të keni mirësinë t’i hiqni vetë tollumbacet me gërma që përdoren për urimet e ditëlindjeve nëpër Tiranë, pasi të ketë mbaruar ditëlindja.
Kryebashkiaku reagoi ndaj manisë së kohëve të fundit përmes një postimi në Facebook, ku tregon se tollumbacet i heqin punonjësit e pastrimit dhe shkruan se nëse janë vërtet kaq të mirë, mund edhe t’i pastrojnë vetë.
“Edhe 100 ylli im!
Por që të jesh yll prej vërteti, hiqi pas feste zbukurimet, se e imagjinon vetë si do të bëhej Tirana me 1 milion ditëlindje.”
Mania e urimeve në mes të rrugës është përhapur shumë gjatë këtij viti, veçanërisht në zona si Blloku apo Myslym Shyri, ku ka pothuajse gjithmonë një urim të varur mes pemëve.
Një të tillë i bënë shokët edhe Encës për ditëlindjen e saj të 22-të. Ajo jeton në rrugën “Myslym Shyri” dhe urimi për të ishte: “King Enca Bday” (Ditëlindja e Mbretit Enca).
Zakonisht, këto urime qëndrojnë aty me javë të tëra, çka është kthyer në një shqetësim edhe për bashkinë.