Pas konfliktit publik me regjisorin e “Portokalli”, Altin Basha, Jul Deda ka folur për një tjetër konflikt në karrierën e tij. I ftuar në “Oktapod”, ai u pyet në lidhje me miqësinë e vjetër dhe kolegun e atëhershëm, Gentian Zenelaj.
Deda e kishte pranuar më herët se ai dhe Genti nuk flasin dhe se krisja e marrëdhënies së tyre nuk ndodhi direkt pas ikjes së tij nga “Apartamenti 2XL”. Gjithashtu, tha se “kjo është jeta, secili ka jetën e vet”.
Në “Oktapod” Deda shprehu se Zenelaj e kishte lënë në baltë duke u larguar nga spektakli në mes të sezonit:
“Genti është larguar në momentin më të keq, duke e lënë spektaklin përgjysmë. Ermali largimin e tij e ka komunikuar shumë kohë para se të lëvizte. Të lësh spektaklin përgjysë siç bëri Genti, do të thotë ta lësh tjetrin në baltë.[...]
Genti kështu ka qenë gjithmonë, me të papritura. Edhe sot e kësaj dite, unë do të doja një ballafaqim me të, për të kuptuar arsyen se përse u largua ashtu.”
Në nëntor të 2013, Gentian Zenelaj u largua papritur nga “Apartamenti 2XL” për të nisur një projekt të ri krah Saimir Kodrës në Agon Tv. Jul Deda, ndërkohë qëndroi në Vizion+ dhe u bë drejtues artistik i spektaklit.