Përdoren si sinonime të njëra-tjetrës, por arresti kardiak dhe infarkti i zemrës janë dy gjëra krejt të ndryshme. Së pari, duhet të dini se infarkti është një problem i qarkullimit të gjakut kurse arresti kardiak, është një problem elektrik.
Kur dikush pëson një infarkt në zemër, qarkullimi i gjakut në zemër pengohet fizikisht nga një arterie e ngushtë apo nga një arterie e bllokuar. Sa më shumë të zgjasë infarkti, aq më të mëdha janë pasojat. Kjo për shkak se kur muskuli i zemrës mbetet pa gjak dhe oksigjen, indet fillojnë të vdesin.
Kurse në rastin e arrestit kardiak nuk ka bllokim të qarkullimit. Një keqfunksionim elektrik i trupit e bën zemrën të ndalojë së rrahuri. Kjo bën që trupi të mos furnizohet më me gjak në asnjë pjesë të tij.
Të dyja gjendjet kanë simptoma të ndryshme. Njerëzit në arrest kardiak humbin ndjenjat dhe nuk kanë puls. Është shumë serioze: arresti kardiak mund të sjellë më të keqen brenda pak minutash. Kurse infarkti i zemrës nuk të jep të fiktë dhe nuk ta ndalon pulsin, por shkakton dhembje gjoksi, krahësh dhe nofullash.
Gjithashtu, infarkti të jep vështirësi në frymëmarrje, djersë të ftohta, të përziera, si edhe këputje, veçanërisht tek gratë. Simptomat e infarktit mund të nisin orë, ditë dhe madje javë përpara se të bjerë infarkti, duke ju dhënë më shumë kohë për të kërkuar ndihmën e mjekut.
Burimi: "Health"