Showbiz dhe TV

Sëmundja ishte më e fortë: Ndahet nga jeta aktorja Hajrie Rondo

9 Shtator 2017

Sëmundja ishte më e fortë: Ndahet nga jeta aktorja Hajrie Rondo

Tre vite pas diagnostikimit me një sëmundje të rëndë, Hajrie Rondo është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, raporton ‘Panorama’.

Ikona e kinematografisë shqiptare, që numëron rreth 120 role në teatër dhe 40 në filma nuk e mundi dot sëmundjen. Rasti i saj u bë publik në janar të 2014-ës, kur u bë dhe një thirrje për ndihmë në rrjete sociale, sepse vetë aktorja nuk mund të përballonte shpenzimet e kurimit.

Ajo u shfaq në publik pak kohë më pas e transformuar, por me vullnet dhe dëshirë të madhe për të mos e lënë veten të mposhtet nga sëmundja u angazhua sërish në teatër me komedinë ‘Tre dhëndurët’.

“Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën, isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë? Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha njëçikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime,” u shpreh aktorja kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi Medaljen e Mirënjohjes në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe film.

Sëmundja ishte më e fortë: Ndahet nga jeta aktorja Hajrie Rondo

Pak kohë më pas u përkeqësua sërish dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje në kokë.