Këtë muaj “Opinion” mbush plot 20 vjeç. Mes qindra temash dhe të ftuarish, një moment mbetet në mendjen e të gjithëve: Blendi i nevrikosur me drejtorin e atëhershëm të ALUIZNI-t, Artan Lamen. Fraza “Lame pusho!” u formësua aty dhe përdoret ende sot.
Blendi nuk e ka problem të flasë për atë moment dhe ka ndarë me publikun një ndër prapaskenat e debatit: Ç’i tha bashkëshortja e tij, Ines, për sa ndodhi.
“[Inesit] nuk i ka pëlqyer asnjëherë publiciteti dhe as postimet në rrjete sociale. Edhe kur kërkoj të postoj foto me të, në shumicën e kohës nuk pranon. Mbase është më mirë kështu, se imagjino të kishim të dy protagonizmin që kam unë. Është gjithnjë kritike [ndaj temave që trajtoj]. Dikur i shihte më me vëmendje emisionet, por tani që vajza e dytë është ende e vogël, kalon më shumë kohë me të,” tha Fevziu në një intervistë për Revistën Who.
Pas debatit me Lamen, Inesi i dërgoi një mesazh këshille në celular:
“Mbaj mend që më çoi një mesazh ku thoshte pak a shumë: Je jashtë kontrollit, qetësohu. Nëse nuk e mban dot veten, fut reklamë që të relaksohet situata. Kuptohet që unë e pashë pasi kishte mbaruar emisioni. Shumë më vonë.”
“Opinion” rikthehet në ekran të enjten e kësaj jave me një transmetim 20 orësh. Do të jenë të ftuar rreth 600 personazhe nga vendi e më gjerë dhe gjithçka do të ndodhë në Ballkonin e Korpusit Qendror të Universitetit.