Showbiz dhe TV

Ekskluzive/ Marina Vjollca shkon në Klan: Superoferta që joshi moderatoren

21 Korrik 2017

Ekskluzive/ Marina Vjollca shkon në Klan: Superoferta që joshi

Është zyrtare: Marina Vjollca do t’i bashkohet “TV Klan”.

Lajmi është konfirmuar nga vetë TV Klan, që shkruan se Marina Vjollca do të nisë një program të sajin, diçka fort e rëndësishme në programacionin e këtij televizioni, ku emisione të vetat kanë emra si Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea, Arjan Çani, Rudina Magjistari apo Ermal Mamaqi.

Ndërkaq, Anabel.al mësoi nga burime të brendshme se bëhet fjalë për një emision në prime time, koha televizive më e ndjekur që zakonisht i jepet emisioneve më të rëndësishëm, në fashën orare rreth 20:00- 23:00.

Ish-bashkëprezantuesja e “Procesit sportiv” duhet tani të gjejë vend mes emisioneve prime time të Vera Grabockes e Alketa Vejsiut, të hënave; Blendi Fevziut: të hënën vonë, të martën, të mërkurën dhe të enjten; Arjan Çanit, të premteve dhe Ermal Mamaqit, me “Xing-un” që transmetohet të shtunave.

Ekskluzive/ Marina Vjollca shkon në Klan: Superoferta që joshi

Pas një karriere të gjatë në “Top Channel”, Marina Vjollca u tërhoq muajve të fundit nga emisioni sportiv, në kërkim të mundësisë për një emision të sajin, diçka që siç duket, nuk e gjeti në "Top Channel". Siç konfirmojnë burime për Anabel.al, ora dhe titulli i emisionit nuk janë përcaktuar ende, por do të jetë një format i ri për televizionin “Klan”.

Me gjasa, mund të bëhet fjalë për një bashkëpunim me vëllezërit Laço, të cilët kanë drejtuar spektakle si “Këngët e shekullit”, “Gjeniu i vogël” apo “Maratona e këngës popullore”, e që gjatë këtyre viteve kanë bashkëpunuar me prezantuese si: Rudina Magjistari, Alketa Vejsiu dhe së fundmi, Klea Huta.

Por nuk bëhet fjalë për asnjë nga këto spektakle, pasi do të jetë një ide e re televizive ajo që do t’i besohet prezantimit të Marina Vjollcës.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.