Familja Hoxha fitoi çështjen e pronësisë së aksioneve të “Top Channel” në gjykatën e apelit. Pas më shumë se një viti në proces gjyqësor përballë aksionerëve Albert Sino dhe Aurel Baçi, gjykata mori vendimin që t’i kthehen aksionet familjes së të ndjerit Dritan Hoxha.
“Report TV” mësoi nga burime pranë gjykatës, se vendimi është i ekzekutueshëm, por Sino dhe Baçi, të cilët kishin në pronësi 60% të aksioneve, kanë ndërmend ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë. Vendimi është dhënë më 21 qershor, në favor të paditësve Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha dhe Itan Hoxha.
Në maj të vitit që shkoi, gjykata vendosi t’i linte shumicën e aksioneve Aurel Baçit dhe Albert Sinos, të cilët posedojnë respektivisht 20% dhe 40% të aksioneve, që Dritan Hoxha ua dorëzoi sa ishte gjallë. Pas kësaj, familja Hoxha e çoi çështjen në gjykatën e apelit, pasi Vjollca Hoxha argumentoi se nuk kishte firmosur për shitjen e këtyre aksioneve, çka i bën ato të pavlefshme.