
Tefik Zhurda, mjeku anestezist që asistoi në operacionin e 15-vjeçares Blerta Pepa e cila humbi jetën mesnatën e së hënës (lexo këtu), po lufton me vdekjen pasi tentoi vetëvrasjen pas vdekjes së pacientes. Burime të policisë bënë të ditur për gazetën “Panorama” se Zhurda ka marrë një mbidozë medikamentesh pas traumës psikologjike që pësoi.

Mësohet se Blerta Pepa vuante nga astma bronkale dhe në të shkuarën ishte kuruar për këtë sëmundje. Kura ishte ndërprerë tre vitet e fundit dhe një gjë e tillë, sipas burimeve të “Gazeta Shqiptare”, i është komunikuar mjekut i cili ka kryer anestezi gjenerale. Sakaq, policia ka marrë në pyetje mjekët që kryen operacionin dhe ka sekuestruar kartelën e pacientes, gjë që pritet të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili aktualisht është edhe kryetar i shoqatës së Anestezi-Reanimacionit.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehu u shpreh se nuk bëhet fjalë për një gabim njerëzor. “Fatkeqja sot gjatë një interventi ortopedik, pësoi një komplikacion anestetik të rëndë e me mortalitet shumë të lartë kudo në botë, hipertermi malinje. Ky nderlikim është pothuaj i pamundur të para diagnostikohet e të parandalohet; ai vjen nga një çlirim masiv energjish termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave të anestezise.”- shkruan Shehu.
Burimi: Panorama