Në një treg muzike si ky i yni, është e vështirë t’ia dalësh vetëm. Nga ana tjetër, këngëtarët me famë ndërkombëtare janë ligjërisht të varur nga shtëpitë diskografike dhe menaxherët e tyre, që përveçse marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave, me të mbaruar kontrata mund t'i lënë mes 4 rrugëve.
Por këto këngëtare shqiptare kanë gjetur të mesmen e artë: askush nuk mund të të mbështesë më fort se dikush që të do. Janë këta burrat që merren me pjesët teknike, që nga pagesat tek përgatitja e kushteve që këto artiste të bëjnë vetëm atë që supozohet: të dalin në skenë e të këndojnë.
Këngëtare si Aurela Gaçe kanë folur hapur për vështirësitë e tregut muzikor në Shqipëri, ku pagesat shpesh nuk e justifikojnë koston e produksionit të këngëve, videoklipeve apo qoftë edhe të veshjeve të skenës. Por dy është më mirë se një, ndaj këto çifte ia kanë dalë kudo duke qenë mbështetja më e madhe për njëri-tjetrin.

Kur ata u njohën në 2008-ën, Adelina mendoi se Vali ishte punëtor skene në club-in ku ajo do të këndonte në Zvicër. Ai i bënte të gjitha vetë: merrej me instalimet e pajisjeve të skenës dhe madje, ajo tregon se po i jepte urdhra të cilat ai i pranonte me qetësi. Më vonë mori vesh se në fakt Vali ishte pronar i atij club-i dhe shumë të tjerëve. Sot, Vali Krasniqi është CEO i “Iliada Entertainment”, kompanisë që menaxhon Adelina Ismailin. Por mbi të gjitha, është babai i fëmijës së saj të parë, Uliksit, që erdhi në jetë këtë muaj.

Nuk janë të martuar e megjithatë, Era Istrefi dhe Faton Shoshi janë në një marrëdhënie tashmë prej disa vitesh. Faton Shoshi është një prej menaxherëve më të fuqishëm në Shqipëri dhe Kosovë, që punon me shoqërinë “Nesër”. Ai e ka ndjekur Erën hap pas hapi: që kur po zgjidheshin motivet e këngës “BonBon”, tek nënshkrimi i kontratës me Ultra Music. Madje, edhe pse Era tani ka nisur me sukses karrierën ndërkombëtare dhe po punon për albumin e parë ndërkombëtar me Sony Music, nënshkruan një kontratë të atillë që i lejonte Faton Shoshit dhe kompanisë “Nesër” ta menaxhojnë Erën edhe në nivel ndërkombëtar. Përfundimisht, ky djalë e di ç’bën.

Juliana Pasha dhe Altin Llakaj janë bashkë kudo: në shtëpi dhe në skenë. Prej rreth 11 vitesh të martuar, çifti i muzikantëve njihen edhe si pjestarët e përhershëm të bandës live me të cilën Juliana këndon gjithmonë. Më parë, ata kanë treguar se janë njohur në skenë dhe u dashuruan menjëherë me talentin e njëri-tjetrit: ai me zërin e Julianës, ajo me tingujt e kitarës së tij. Altin Llakaj është gjithashtu menaxheri i Julianës, ndonëse mund të themi se tashmë janë më shumë menaxherë të njëri-tjetrit.

Muajin që shkoi, përmes një postimi në Instagram, Aurela Gaçe tregoi si rrallëherë sa shumë i ka ndryshuar jeta dhe karriera që kur njohu Skerdin, babain e dy vajzave të saj. “Më është dashur të bëj çdo gjë vetë mbas skene, edhe kur s'kuptoja si bëhej. Më është dashur të bëhem çdo gjë në mbas skenë; menaxhere, producente (mblidh të ardhura e vetëm harxho në atë që duhet për skenën).” Por tani është Skerdi, bashkëshorti dhe menaxheri i saj vizionar, ai që i jep përkrahjen e munguar përgjatë gjithë këtyre viteve. “Unë nuk do të mundesha të bëja çfarë jam duke bërë, të jem live në këto përmasa, të luftoj në këtë treg ku playback-u të mbyt, e unë të arrij të jem në skenë me një staf të vërtetë, të isha live çdo javë në skenë në Tiranë, kjo u bë e po bëhet sepse tani i ke marrë ti përsipër gjithë vështirësitë e prapaskenës e mua më jep mundësinë që të mendoj e të jem 100% në skenë, vetëm të jap atë që më fali Zoti." A ka nevojë të themi më shumë?

Një histori dashurie e nisur që kur Eneda ishte në bankat e shkollës, rreth 16 vjeç. Historia e tyre vijon prej rreth 20 vitesh dhe tashmë janë bekuar me një vajzë, Arian. Erjoni ishte autori i këngëve të para që e bënë të famshme Eneda Tarifën: “Ika larg” apo “Do ta them”. Kanë qenë kurdoherë bashkë dhe ndonëse Eneda ka bashkëpunuar me një sërë autorësh të tjerë këngësh, Erjoni ka qenë gjithnjë i pranishëm në vendimet më të rëndësishme të karrierës. Madje ajo i kushtoi edhe një këngë: “Zëri im”, ku i këndon një njeriu pa të cilin “askush nuk do të dëgjonte zërin e saj”, por ai “ekziston, dhe është gjithmonë me të” [parafrazim i tekstit].
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
