Një ngjarje e rëndë u raportua dje në emisionin “Fiks Fare”, ku mësuesja e një shkolle fillore në një fshat të Tepelenës dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht nxënësen e saj. Ka qenë nëna e të miturës Esiada, e cila denoncoi skandalin e kthyer në një shqetësim madhor për familjen e tyre. Nëna e 8 vjeçares rrëfen se mësuesja e dhunonte vajzën prej 1 viti e gjysmë.
"Vajzën ma rreh mësuesja, i thotë budallaçkë, hajdute, i përplas kokën në dërrasë, ju lutem më ndihmoni”,- shprehet nëna me lot në sy. Nga ana tjetër, vogëlushja ka hedhur në letër (ditar) gjithë këtë ngarkesë psikologjike, madje shkon deri aty sa shkruan se do të donte ta vriste mësuesen dhe të ikte nga shtëpia. "Mësuesja më rreh shumë, më thotë budallaçkë, do të shtypë bota me këmbë, më përplas kokën në dërrasë, nuk dua të shkoj më në shkollë", tregon e mitura e tmerruar nga gjestet e papranueshme të mësueses. Ndërsa mësuesja pranon se i ka shkulur vetëm flokët, por jo kokën në dërrasë, edhe pse ishte e qartë se nuk po tregohej e sinqertë. Në momentin e ballafaqimit me drejtorin e shkollës, ky i fundit ka pranuar gabimin e tij dhe të gjithë stafit të drejtorisë duke e quajtur mësuesen totalisht të paaftë.
Sipas specialistëve, në plan të parë është gjendja e rënduar e 8 vjeçares, e cila duket se duhet t'i nënshtrohet disa seancave nën trajtimin e psikologëve.
Burimi: ‘Top Channel’