Që kur konkurruan bashkë tek “Dancing With the Stars”, u hap fjala se mes tyre mund të ketë diçka më shumë se miqësi. Rovena Dilo dhe Eltion Merja rikthehen bashkë në publik, këtë herë për një projekt artistik ku ndërthurin baleti me poezinë.
Të ftuar në “Top Show” për të folur mbi këtë projekt, këngëtarja dhe balerini nuk u shpëtuan pyetjeve për marrëdhënien mes njëri-tjetrit. Opinionisti Ervin Kurti këmbënguli shumë për të marrë një përgjigje prej tyre. Fillimisht iu drejtua Eltionit, i cili tha me ironi se është shqetësuar pse mediat s’po merren më me ta kohët e fundit.
Më pas i erdhi radha Rovenës të përgjigjej. “Çfarë bëni ju të dy kur takoheni?”, e ngacmoi Kurti.
“Do të shikosh çfarë ndodh mes nesh?”, tha Rovena, dhe iu drejtua pastaj Eltionit: “Hajde kërcejmë!”, për të dhënë të kuptohej se mes tyre nuk ka asgjë më shumë se kërcimi, që tashmë ajo e praktikon shumë shpesh.
Megjithatë, opinionisti vijoi ta pyeste për të marrë një përgjigje konkrete. Por Rovena nuk pranoi të jepte një përgjigje:
“Ti përgjigje s’ke për të marrë kurrë! Sepse unë nuk dua!”, ia ktheu ajo duke qeshur me të madhe.
Dyshja do të vënë shumë shpejt në skenë një shfaqje të titulluar “Herë poshtë herë lart”, që siç tregoi Dilo në “Top Show”, ka kuptimin e uljeve dhe ngritjeve të jetës.