
Sokol Balla thotë se mes tij dhe ish-bashkëshortes, rolin e prindit të butë e ka ai, për shkak të kohës më të pakët që kalon me fëmijët. Ai rrëfeu se shpesh has kundërshtime nga ana e saj sepse do që fëmijëve t'u plotësojë çdo tekë, kurse ajo është më e rreptë.
Në faqen e parë të librit të tij të ri, "Loja që ndryshoi Shqipërinë", Sokol Balla ka shkruar një dedikim të veçantë. Si rrallëherë publikisht, gazetari shpreh ndjesitë për "njeriun që i ndryshoi jetën" kur për herë të parë u bë baba në 2005-ën, djalin e tij Kolin.
I ftuar në "Tek Unë me Arjola Shehun" në IN TV, Sokol Balla tregoi marrëdhënien që ka me dy fëmijët e tij nga martesa me Belinda Ballukun, që përfundoi dy vjet më parë. Balla rrëfen si të qenit baba i ndryshoi krejtësisht jetën.
"Kur vjen në jetë fëmija i parë ti je në gjendje shoku, sepse e kupton se që nga ai moment ti nuk do të kujdesesh më vetëm për veten, derisa ai të arrijë në një moshë madhore. Megjithatë, duke parë marrëdhënien që kanë prindërit e mi me mua, them se fëmijët mbeten gjithmonë të tillë për prindin."
Sa i përket marrëdhënies që kanë fëmijët me ish-bashkëshorten, ai shpjegon se ajo është më e përkujdesur edhe pse, siç thotë, është një baba i përkushtuar, edhe për t'u ndërruar pelenat.
"Në momentin që në jetë vjen fëmija jot, vetvetiu ti kalon në plan të dytë. Unë kam qënë dhe vazhdoj të jem shumë i përkujdesur për fëmijët e mi. Mendoj që e kam bërë mirë këtë pjesë edhe pse ndoshta jo me të njëjtën cilësi si mamaja e tyre, por kam qënë një baba që i ndërroja, i laja, i ushqeja dhe e kam pasur gjithmonë për kënaqësi."
Duke qenë më pak kohë pranë tyre, Sokol Balla ka hequr dorë nga rreptësia. Ato orë që kalojnë bashkë do t'u dhurojë atyre përkëdheli e t'u plotësojë çdo dëshirë, ndonëse Belinda nuk është aspak dakord. Rolin e më të rreptës e ka marrë nëna, që siç thotë ai, u jep edukatën më të mirë.
"Rolet janë ndarë shumë kohë më parë. Edhe për shkak të impenjimeve që unë kisha edhe për shkak të rrethanave, unë nuk e kam luksin të jem baba i rreptë me ta. Po jam shumë i sigurtë që rriten me një edukatë të fortë dhe nuk kanë nevojë për rreptësinë time, kështu që unë kam zgjedhur të kem rolin e babait që i përkëdhel dhe i plotësoj çdo dëshirë, përkundër rezistencës që mund të ketë nga pala tjetër."