Të jesh ‘Zonjë e Parë’ është një pozicion jo pak i lakmuar për të gjitha vajzat. Ti je gruaja e ‘të parit të vendit’, mund të vishesh gjithnjë bukur, të ndihmosh njerëzit në nevojë, udhëton shumë dhe takon personalitete nga e gjithë bota. Çfarë mund të kërkosh më shumë nga jeta? Por për habinë e të gjithëve, Odeta Nishani në një rrëfim për ‘Exclusive’ në Top Channel, rrëfeu vështirësitë dhe sfidat e të qenit Zonjë e Parë në Shqipëri.
Tani që mandatit të parë të Presidentit Nishani po i vjen fundi, znj. Nishani rrëfeu të gjithë eksperiencën e saj, me të mirat dhe të këqijat e saj. Ndërsa i rikthehet vitit që lamë pas, ajo pranon se ka qenë kryesisht një vit i mbushur me kujtime të bukura. “Në këtë pozicion që jam, ja munduar të jem përfaqësuese për të qenë sa më dinjitoze,”- u shpreh ajo.
“Duke qenë nën titullin ‘Zonjë e Parë’, të gjithë të shohin si përfaqësuese të shqiptarëve në veshje, mentalitet, kulturë, gjithçka. Dhe kjo ka impenjimin e vet,”- vijoi znj. Nishani në përpjekje për të shpjeguar peshën dhe rëndësinë e pozicionit që mban.
E pyetur nëse ka bërë kompromise për të veshur kostumin e ‘Zonjës së Parë’, ajo pranoi se është bërë më e përgjegjshme për veshjen apo sjelljen. “Kupton se përgjegjësia është shumë e madhe, çdo fjalë e thënë rrëmbimthi mund të mos jetë e mirë. Kupton që duhet të kesh veshje serioze. Unë kam qenë tip sportiv dhe gradualisht ndryshova garderobën time.”
Gjatë qëndrimit të saj në rezidencën presidenciale, Odeta Nishani kujton si momente të veçanta takimin me personalitete botërore siç janë: çifti Obama, princi Charles, dukesha Kate Middleton dhe Princi Ëilliam, mbreti Abdullah dhe mbretëresha Rajna e Jordanisë, takime që siç ajo vetë pohon, do të ngelen gjatë në memorie.
“Zgjedhja ishte një moment i papritur në jetën tonë dhe unë nuk dija si të veproja,”- u shpreh Zonja e Parë teksa kujton momentin e parë kur Bujar Nishani u shpall President i Shqipërisë. “Krahas gjërave të bukura ka dhe shumë probleme. Të jesh ‘Zonjë e Parë’ në Shqipëri është e vështirë, duke patur parasysh çfarë përfaqëson. Nuk ke një ndihmë, nuk ke një zyrë, nuk ke një ndihmëse, nuk bëhet fjalë pastaj për imazhin, që të kesh një stilist apo parukier, çdo gjë duhet ta kërkosh dhe ta gjesh vetë, duhet të përshtatesh me protokollin e vendeve të tjera. Në çdo vizitë marrim programin dhe kodin e veshjes dhe duhet të nxitosh që t’i përshtatesh.” Dhe në fakt veshja ka qenë një ndër faktorët kryesorë që e kanë bërë Odeta Nishanin pjesë të lajmeve në portale dhe media.
“Unë kam mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit dhe nuk kam qenë një person i ekspozuar në kamera, nuk më pëlqente të ekspozohesha apo të isha një person mediatik. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Të qenit në këtë pozicion më vuri përballë mediave, e pamësuar, dhe për hir të bashkëshortit kam ndjerë dhe goditjet politike. Politika në Shqipëri është ‘një luftë burrash e ashpër’, por nuk mendoja se do të merreshin edhe me mua,”- përfundoi znj. Nishani. Prej 5 vitesh tashmë Odeta dhe Bujar Nishani jetojnë në rezidencën presidenciale bashkë me dy fëmijët, Ersi dhe Fiona Nishani që vazhdojnë studimet e larta në Vienë.