Më shumë se një javë pas krimit makabër në Korçë, ku Naum Toshi vrau dy fëmijët e mitur dhe më pas veten, Marsela Toshi, nëna e tyre, foli për herë të parë në studion e “Me zemër të hapur” në “News 24”.
"Si ka mundësi të vras unë fëmijët e mi. A e dinë ata çdo të thotë të humbasësh dy fëmijë? Si mund të varja unë e vetme një mashkull që mua më rrihte?”- u shpreh 24-vjeçarja mes lotëve, duke iu drejtuar edhe nënës së saj që ndodhej në studio dhe që një ditë më parë, akuzoi të bijën si autoren e krimit të trefishtë.
“A është nënë ajo që del aty?”- tha Marsela, duke e akuzuar të ëmën se e ka braktisur që kur ishte 5-vjeçe dhe se nuk i ishte gjendur pranë as kur ajo nuk kishte pasur ushqim për të ngrënë, ndonëse Marsela i kishte kërkuar ndihmë. Nëna e dy fëmijëve të ndjerë rrëfeu se lajmin e rëndë e ka mësuar në internet, ndërkohë që ndodhej në Greqi. E pyetur se çfarë kishte ngjarë një natë para krimit, Marsela Toshi u shpreh:
“Atë natë erdha për të takuar fëmijët. Nga ora 14.30-15.00 vajta në shtëpi dhe s’kam ndenjur as gjysmë ore sepse më kapi për krahu dhe më nxorri përjashtë. Mora rrobat në hotel dhe ika në doganë.”
Ajo u shpreh se fillimisht i kishte kërkuar Naum Toshit që t’i jepte të dy djemtë dhe duke parë se ai refuzonte, i kishte kërkuar të merrte të paktën djalin e madh. Sipas Mraselës, ai sërish nuk kishte pranuar, duke i thënë që t’i drejtohej gjykatës.
Marsela Toshi gjithashtu rrëfeu se bashkëshorti i saj e dhunonte vazhdimisht. “E kam denoncuar që të mos më prekë më me dorë dhe të mos më nxjerrë më nga shtëpia.”-u shpreh 24-vjeçarja e cila shtoi se e ka denoncuar Naum Toshin edhe në Korçë edhe në Greqi. Sakaq, sipas nënës së saj, Marsela e ka denoncuar bashkëshortin pasi ajo u arratis me dikë tjetër.
Toshi gjithashtu u shpreh se Naumi kishte edhe një fëmijë jashtë martese me një grua greke dhe se i kishte pranuar hapur që Marselën e kishte marrë për ta shfrytëzuar për prostitucion.
“Ku të punoja unë ashtu, në Korçë?! Të më tregonin të gjithë me gisht?!”- u shpreh Marsela. Ajo gjithashtu rrëfeu se dhunohej sistematikisht edhe nga bashëkëshorti i saj i parë dhe se në momentin që ishte larguar nga shtëpia së bashku me të birin, as babai i saj nuk kishte pranuar ta ndihmonte.
Marsela Toshi rrëfeu se ishte vetë Naumi ai që e ndihmoi të ndahej dhe sipas saj, ai e kishte bërë këtë vetëm për ta shfrytëzuar. "Prandaj më pranoi me një fëmijë të vogël."-tha ajo.
E pyetur për arsyen që e shtyu Naum Toshin të bënte një akt kaq të rëndë, 24-vjeçarja u shpreh se ai nuk i kishte dhënë asnjë shenjë.
E pyetur për varrimin dhe për arsyen përse ajo nuk kishte marrë pjesë, Marsela u shpreh se ishte babai i saj ai që nuk donte që ajo të merrte pjesë në varrim dhe se këtë ia kishin thënë në polici. “Nuk ia fal kurrë, që nuk më la të shihja fëmijët për herë të fundit.”- u shpreh ajo.