
Jo të gjithëve u pëlqen arti dhe jo të gjithëve u intereson se shumë maturantë nuk e fituan shkollën e lartë këtë vit. Kurse seksi është gjuha jonë e përbashkët.
Prandaj Kim Kardashian u bë e famshme; në 2007-ën u publikua videoja e seksit me ish-të dashurin Ray J dhe ja ku është: në krye të perandorisë që i sjell individualisht 51 milion dollarë në vit. Thuhet se ishte ideja e nënës së saj, Kris Jenner, që e bija të katapultonte drejt famës frymëzuar nga Paris Hilton e cila u bë e famshme në të njëjtën mënyrë.
Prandaj edhe Tiziana Cantone vrau veten në shtëpinë e saj në Mugnano, Napoli. Videoja e seksit me të dashurin u përpi me epsh nga vorbulla e shfrenuar e internetit. Nuk mundi ta ndalonte; në ndryshim nga Kim, jo vetëm nuk fitoi por pagoi shuma të mëdha që të pengonte shpërndarjen e videos por pa ia dalë, dhe gjithçka përfundoi në një “tragjedi turpi”.
Se çfarë kishte të turpshme mbetet për t’u diskutuar. E dukshme është se seksi tërheq gjithmonë kurreshtje. Videoja e Sokol Ballës, përshembull. Drejtuesi i ‘Top Story-t’ u tërhoq ca kohë nga televizioni pas publikimit të videos së seksit në Skype, për t’u kthyer sërish si moderator, por edhe si drejtor i Departamentit të Lajmeve në Top Channel.
Disa e kanë shfrytëzuar për famë, të tjerë kanë pritur sa të shuhet skandali, Tiziana Cantone vrau veten. Duket qartë se realiteti në Hollivud është krejt ndryshe nga ai italian apo shqiptar. Por mbi të gjitha gjykimi për një femër dhe një mashkull pas publikimit të një videoje të tillë nuk është i njëjti.
Sa ishte gjallë, të pakët ishin ata që kërkuan të dinin kush ishte i dashuri i Tizianës, i cili theu një nga ligjet më të rënda të privatësisë duke shpërndarë videon. Të gjithë përçmuan vajzën, i vunë emra.
Kështu akti më i zakonshëm në botë, merr në mënyrë të pakuptueshme vlerën e “skandalit të turpit”, shumë më tepër kur bëhet fjalë për një grua.
Çudia më e madhe tre ditë zgjat. Por me gjithë sajtet e pornos dhe informacionin e pamasë në internet, si është e mundur që seksi përbën ende një çudi?
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.