
Përdit. 9:00 - Pas bujës së madhe që bëri shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të Top Channel Enkelejd Joti dhe zëvendësimi i drejtorit të informacionit Bledar Zaganjori me Sokol Ballën, u publikua lajmi se Joti dhe Zaganjori do të emëroheshin në postet drejtuese të Radio Televizionit Publik Shqiptar.
RTSH ka njoftuar zyrtarisht përmes sajtit në internet shkarkimin e Drejtorit të Radio Tiranës, Drejtorit të Televizionit Shqiptar, Drejtorit të Aktualitetit, Drejtorit të Programit Satelitor, Drejtorit të Stacioneve Transmetuese dhe lënien e tyre në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme.
Ndërkaq, janë publikuar edhe emrat e rinj të drejtuesve të propozuar nga drejtori i përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, dhe të miratuar nga Këshilli Drejtues i Institucionit. Në njoftimin zyrtar thuhet se Rezart Aga, producent i disa prej formateve më të suksesshme në “Top Channel” si “Big Brother Albania”, “Master Chef” etj, do të vendoset në postin e Drejtuesit të Njësisë të Programeve Radiotelevizive. Bledar Zaganjori do të emërohet Drejtues i Njësisë të Programeve Tematike dhe Lajmeve.
Një tjetër emër i konfirmuar zyrtarisht është ai i Henri Muçës, i cili do të vihet në drejtim të Njësisë Teknike në RTSH. Muça më parë ka qenë drejtor teknik i Digitalb.
Zhvendosja e Enkelejd Jotit në RTSH u mohua më parë nga miq të tij të afërt. Kjo nuk është hera e parë që pjesë të stafit të “Top Channel” zhvendoset drejt RTSH. Ky ka qenë edhe rasti i gazetares së temave sociale, Klodiana Kapo, e cila është emëruar kryeredaktore në televizionin publik.
Përshtati: Kristi Tashi