
Pasi policia i sekuestroi karrocën e saj të kokoshkave, Trëndelina Aliko humbi ndjenjat. Mes zallamahisë së qytetit që u bë i gjallë rreth saj, në një skenë që u pa nga 350 mijë njerëz në Facebook, askush nuk u kujtua për këpucët e saj. (shiko videon këtu)
Kështu thotë të paktën Flutura Açka, shkrimtare dhe përkthyese e njohur, e cila ka publikuar në Facebook foton e këpucëve të 52-vjeçares, që siç thotë i ka marrë në shtëpi, e në mënyrë simbolike thotë se do t’i vendosë ato në një muze, ku do të mund t’i shohin politikanët:
‘Kur zonja e karrocës së kokoshkave, humbi ndjenjat dje nga rrëmbimi brutal i karrocës së saj nga policët (katër copë për një qyqare, në zbatim të urdhërit të tyre), këpucët e saj mbetën në trotuar. Unë i mora dhe i ruajtja. Po ia dhuroj Bashkisë t'i ketë për Muzeun e Historikut të saj. Mbase kujtohen se këta qytetarë nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe të piqen në diell, as në shi dhe në të ftohtë për të këqyrur qytetarët që kalojnë atypari, por për bukën e gojës. Dhe kërkesa për bukën e gojës është instinktive dhe gjëja më humane e dykëpucëshit njeri, veçmas atij të paqtë. Kur t'i kesh sekuestruar vilat e vjedhura, llogaritë bankare të pajustifikuara, kur të kesh pastruar troturët e zënë nga bosat e mafias (miqtë e miqve), kur t'ia kesh siguruar kësaj gruaje bukën e gojës si shtetar që ke përgjegjësi për të, dhe votën e saj, atëherë, po: atë karrocë ke të drejtë ta heqësh, jo ta tërheqësh zvarrë. Ta paralajmërosh që ta heqë si qenie njerëzore që ka arsye dhe e kupton se qyteti duhet të bëhet më i bukur, por jo si 'armike'. Kam parë disa kohë më parë një bukinisti te hekurat e vilës së diktarorit, që një police (me flokë extention, vetullat tatuazh dhe pa kapele, si kund në botë police) po ia mblidhte librat. U trishtova. Dhe, edhe ngaqë isha përballë shtëpise famëkeqe, m'u kujtua diktatori. Po, ai e përdori policinë kundër qytetarëve të vet, sepse vetëm ashtu e mbante lavdinë e tij dhe pushtetin. Po tani kjo është e papranueshme, ndaj e edukoni policinë shqiptare dhe ia mësoni nenin numër 1: ajo është në shërbim të qytetarëve të vet, dhe jo armike e tyre.’, ka shkruar Açka në Facebook.
Vetë 52-vjeçarja Aliko, ka dhënë më herët një deklaratë ku thotë se pas gjithë vëmendjes që ka marrë nga njerëzit në internet, është ndier e mallëngjyer, dhe plot besim tek mirësia njerëzore (lexo këtu). Edhe pse i kanë marrë shtëpinë e saj në Elbasan e në Tiranë mbante familjen dhe paguante trajtimet për sëmundjen vetëm me karrocën e kokoshkave, ajo thotë se njerëzit janë të gjithë të mirë, por është koha ajo që po i dëtyron të sillen kështu.