
Brandon Stanton është fotografi tashmë i njohur në të gjithë botën për historitë e njerëzve që ai fotografon. Faqja e tij “Humans of New York” është bërë e famshme për mesazhet e forta që përcjell. Këtë herë Brandon, si rrallë herë në fakt, ka vendosur t’i dedikojë jo një, por disa foto një familjeje shqiptare që jeton në New York. Historia e tyre e dhimbshme ka prekur jo vetëm fotografin, por të gjithë ndjekësit e tij nëpër botë.
“Gabrieli ishte një fëmijë i shëndetshëm që në lindje. Ai nisi të fliste dhe të ecte më herët se të gjithë fëmijët. Nuk u sëmur asnjëherë, përveçse atyre rasteve kur ftohej. Sigurisht që bejzbolli, noti apo kikboksi bënin të tyren, ai djersitej dhe ftohej. Gabe është nga ata fëmijë që ëndërron majat, do kalonte çdo kufij dhe do fitonte çdo garë. Kjo deri para dy vitesh, kur nisi të ndjente pickime në gojë. Një ditë mësuesja i kërkoi të lexonte me zë të lartë në klasë, por ai nuk mundi. Ky ishte sinjali i parë që na shqetësoi. E çuam tek pediatri, por ai na tha se ishte thjesht një alergji. Për çdo rast, vendosëm ta vizitonim dhe tek një neurologjist. Kur ky i fundit solli rezultatet, i tha Gabe-t të dilte nga dhoma. ‘Është një tumor në tru, i madh sa një kokërr ulliri’ kaq më tha. Një tumor, Gabe kishte një tumor!” rrëfen e ëma e Gabrielit.
Më pas ajo tregon se jeta e tyre në Shqipëri ishte shumë e vështirë, prandaj ata u sforcuan t’i siguronin një jetesë më të mirë Gabrielit kur arritën në Amerikë. “Kur mbërritëm këtu, asnjëri prej nesh nuk fliste anglisht. Nuk njihnim asnjë” thotë ajo. Pas diagnostikimit, djaloshi i’u nënshtrua një operacioni për të rikthyer aftësinë e të folurit. “Ia shpjeguam djalit si të ishte një lojë fëmijësh. Ai ka shumë qejf të formojë puzzle. I thamë që në trurin e tij po formohej një gropë e zezë që po ja thithte të gjithë energjinë positive. Menduam se pas operacionit gjërat do përmirësoheshin, por jo. Ja ku gjendemi këtu sot. Kaloi korriku, gushti, shtatori dhe askush nuk di si do ta kurojmë. Ata nuk kanë parë një formë të tillë tumori më parë. Gabrieli është njeriu i vetëm në botë me këtë lloj tumori. Në internet lexova që kjo formë është më e keqja. Ajo rikthehet çdo 3 vjet. Mendohem me vete dhe pyes: Çfarë kam bërë gabim? Mos ndoshta e kam ushqyer keq? Pastaj mendoj dhe për sencat e kimiterapisë. Ato janë shumë të dhimbshme. Nuk di çfarë të bëj që të shpëtoj jetën e djalit tim të vetëm…”
E ndërsa shikon në sytë e Gabrielit, kupton që ai djalë i vogël nuk i trembet asgjëje, as kësaj sëmundjeje që po i merr jetën. “Duhet të tregoheni të guximshëm si unë. S’i trembem kësaj gjëje. Dhe nëse nuk e gjeni dot guximin, do ju mësoj unë! “këto janë fjalët që vetë djaloshi thotë duke parë në kamerën e Brandonit sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Historia e tij, por edhe e shumë të tjerëve, ka frymëzuar fotografin të ndërmarrë një nismë për mbledhjen e fondeve. Më pas, ato do dhurohen në gjetjen e një kure për format e rralla të kancerit, si ai i djaloshit nga Shqipëria. Në këtë link do gjeni adresën ku mund të kontribuoni dhe ju.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.