
Ligjëvënësit në Egjipt kanë rënë dakord se mbulimi i plotë i femrës është jooslamik dhe se Kurani kërkon vetëm që femrat të vishen në mënyrë modeste dhe të mbulojnë flokët.
Parlamenti egjiptian po harton një ligj që ndalon femrat të veshin vellon mbi fytyrë. Raportohet se ky ndryshim do të jetë për veshjet në publik dhe institucionet qeveritare. Mbulimi i fytyrës së femrave aq sa mund të duken vetëm sytë, është një veshje tipike e femrave në Egjipt ku mbizotërojnë muslimanët.
Amna Nosseir, një profesore në Al-Azhar University, e cila mbështet ndalimin e këtyre veshjeve, tha se kjo nuk është një kërkesë e Islamit dhe se origjina e saj nuk është islamike. Ajo thotë se kjo është një traditë hebreje dhe ka disa pjesë në Kuran që e kundështojnë atë. Nosseir shpjegoi se Kurani flet për veshje modeste dhe flokë të mbuluar dhe nuk kërkon edhe mbulimin e fytyrës.
Vitet e fundit janë bërë disa ndryshime të rëndësishme në Egjipt. Në muajin shkurt u bë ndalimi i këtyre veshjeve për infermierët dhe mjekët, ndërsa vitin e shkuar u ndalua për stafin akademik. Ishin vetë studentët që bënë thirrje për të ndaluar ato në klasë pasi kishin vështirësi në komunikim.
Burimi: The Independent; Përshtati: Klarida Bregaj