
Dhe çmimin për “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër” nuk e fitoi “Shok-u” ynë. Por a është kjo një humbje për ne?
Kjo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike për çdo shqiptar. Të përzgjidhesh midis 5000 filmave me metrazh të shkurtër, me konkurrentë nga Franca apo Gjermania, është një fitore më vete. Ishte hera e parë që një produkt shqiptaro-kosovar shfaqej në faqen e Oscars, përkrah aktorëve, regjisorëve, filmave dhe realizimeve më të rëndësishme në botën e kinematografisë. Ne vërtet nuk fituam një çmim por për ato pak minuta u ndjemë krenarë që dëgjuam gjuhën shqipe të flitej në njërën prej ceremonive më të rëndësishme në botë. Në vërtet nuk u ngjitëm në skenë por Eshrefi, Lumi dhe Andi e ngritën imazhin tonë në piedestalin e artit kinematografik.
Ai na tregoi që jemi të aftë të ngjitemi në Olimpin e kinemasë dhe u hapi rrugën shumë filmave të tjerë. Nëse deri dje asnjë nuk e ka besuar apo imagjinuar këtë gjë, ishte Shok ai që na tregoi që ëndrrat bëhen realitet. Ndoshta Shok-u nuk e solli dot statujën në Shqipëri, por çoi në Amerikë shqiponjën tonë kuq e zi.