Një sajt i njohur për muzikën pop, Breatheheavy.com, ka publikuar një shkrim për Era Istrefin. (shiko këtu)
‘Ju duhet të dini më shumë për ‘BonBon’-in e Era Istrefit’ shkruhet në titull. Në këtë artikull, tregohet se kënga ‘BonBon’ po kthehet në një hit, pasi fillimisht njerëzit e ngatërruan me Rihanna-n. Sipas këtij shkrimi, fansat e artistes amerikane menduan fillimisht se ‘Bon bon’ ishte bashkëpunimi aq i dëshiruar mes Rihanna-s dhe Major Laser, në vigjilje të albumit të saj të ri, ANTI (lexo këtu).
Por kjo këngë reaggae-pop, ishte kënga e vajzës nga Kosova, e cila nisi të ngjallë shumë kurreshtje, fillimisht për fansat e Rihanna-s, e më pas edhe tek shumë të tjerë. Sipas BreatheHeavy, kënga është kthyer në hit, duke shumëfishuar menjëherë klikimet në mbi 9 milionë dhe duke u ngjitur gjithmonë e më lart në top listat nëpër të gjithë Europën.
Era na ka paralajmëruar prej kohësh për diçka të tillë. Përveçse është treguar gjithmonë e bindur në guximin e saj, duke qenë ndër ato të famshme që nuk fokusohen tek komentet në rrjetet sociale, duket se ajo kështu ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, edhe më parë.
Në dhjetor të 2014-ës, asaj iu kushtua një artikull në revistën ‘V’, me një set fotografik nga Fadil Berisha (lexo këtu). Në këtë artikull ajo prezantohet si ‘Rihanna shqiptare’, dhe thuhet pak a shumë se, përveçse Era është shumë kontroversiale dhe ngjall polemika me shfaqjet e saj, ajo ka një stil shumë të veçantë, dhe prandaj është shumë premtuese për të çarë drejt tregut ndërkombëtar.
Kënga e saj ‘Bon Bon’ u prit mjaft mirë nga publiku, duke u dëgjuar kudo nëpër ambjente publike dhe madje, duke e kthyer xhupin e saj me pellush rozë të ndezur në një trend të momentit (lexo këtu). Breatheheavy shkruan: ‘Edhe pse me një video me buxhet të ulët dhe garderobë tepër të thjeshtë (xhupi i saj me pellush pink është ikonik) ajo shfaq një personalitet prej ylli’
Në fillim të janarit Era tha në një intervistë për Express Rozë: ‘Nuk e di pse kur flitet për karrierë jashtë kufinjve, njerëzit e trajtojnë si tabu. U duket si një ëndërr shumë e madhe, por unë nuk kam përse ta censuroj ëndrrën time vetëm deri tek kufiri’
Më pas ajo ndau me ndjekësit disa komente në Twitter për këngën e saj ‘Bon Bon’ të cilat e vlerësonin dhe e krahasonin me Rihanna-n. Edhe këtë herë, paralajmëroi se ‘Kur të pëlqejnë amerikanët…Diçka e madhe do të vijë!’