Celebrity

George Clooney kundër Oscar

20 Janar 2016

George Clooney kundër Oscar

Pas thirrjeve për bojkotim të Academy Awards për shkak të mosnominimit të asnjë aktori me ngjyrë, aktori George Clooney tha se “po ecet në drejtim të gabuar” duke u fokusuar jo vetëm tek afro-amerikanët, por edhe tek femrat dhe hispanikët.

“Nëse kthehemi 10 vite para, Akademia po bënte një punë më të mirë. Kujtoni se sa afro-amerikan ishin të nominuar.” Diskutimi i tij lidhet me sa mundësi kanë minoritetet për të qenë në film sidomos në filma cilësorë. Ai tha se në vitin 1940 kishte më shumë mundësi për femrat që të kishin rolet kryesore.

“Tani është shumë e vështirë që një 40-vjeçare të marrë rolin kryesor në një film,” shtoi ai. “Ne po shohim disa lëvizje. Jennifer Lawrence dhe Patricia Arquette kanë ngritur zërin për ndryshimet në pagesë midis femrave dhe meshkujve dhe sollën idenë se duhet të kushtojmë vëmendje. Ne duhet t’i kishim kushtuar vëmendje më parë kësaj çështjeje. Mendoj se afro-amerikanët kanë të drejtë në pikën që nuk po përfaqësohen mirë në këtë industri. Unë mendoj se kjo është e vërtetë.”

“Ka pasur disa nominime që u lanë jashtë. Ishin katër filma këtë vit. Filmi “Creed” mund të ishte nominuar, filmi “Concussion” mund t’i jepte Will Smith një nominim, Idris Elba mund të ishte nominuar për “Beasts of No Nation” dhe “Straight Outta Compton”. “Ne po flasim për afro-amerikanët, por për hispanikët është edhe më keq. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë më shumë për këtë. Kemi qenë më mirë.”

Ndërkohë disa yje të industrisë së filmit kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në ndarjen e çmimeve Oscar.

Burimi: Independent; Përshtati: Klarida Bregaj