
Në një mbrëmje të ftohtë e me shi në Tokio, gjimnazistet japoneze rreshtohen në rrugë.
Duke u dridhur të veshura me funde të shkurtra, ato shpërndajnë pamfleta ku reklamohen “JK” ose kafenetë “Joshi-kosei”, në të cilat meshkuj adultë paguajnë për shoqërinë e një vajze të re, e cila mund të jetë edhe 16 vjeç.
“Shumica e këtyre burrave janë në të 30-tat, 40-tat dhe 50tat” tregon 18-vjeçarja Honoka.
Vajzat, të gjitha të veshura me uniformat e tyre të shkollës së mesme, fitojnë gati 8 dollarë në orë, duke biseduar, shërbyer ushqim apo pije burrave që kanë dyfishin e moshës së tyre.
Por ka raste, që burrat duan më shumë sesa një bisedë të thjeshtë. 16-vjeçarja Eli tregon se klientët kërkojnë të dalin me këto vajza “gjithë kohës”.
Ana e errët
Nëse disa kafe, si ajo ku punojnë Eli dhe Honoka, i ndalojnë rreptësisht takimet apo komunikimet me klientët jashtë ambienteve të biznesit, ekziston edhe një anë më e errët dhe më shqetësuese për JK.
CNN zbuloi disa biznese që tregëtonin masazhe nga vajzat e gjimnazit, uniforma, madje edhe mbathje që supozoheshin se ishin të përdorura.
Shumë vajza pranojnë të dalin me klientët dhe disa prej tyre janë aq të reja, sa i japin mundësi përdhunimeve të fëmijëve, një problem shqetësues në Japoni. “Sapo të nxjerrësh këmbën jashtë kafesë, qoftë edhe të hedhësh një hap, ti je e lirë të bësh ç’të duash” një prej aktivistëve kundër kafeneve JK i tha CNN-it.
Në një raport të fundit për trafikun njerëzor, Departamenti i Shtetit amerikan paralajmëroi se “rrjete të sofistikuara dhe të organizuara prostitucioni, kanë në shënjestër vajza dhe gra japoneze të pambrojtura.”
“’Enjo Kosai’ ose ‘Takime me kompensime’ vazhdon të lehtësojë prostitucionin tek fëmijët japonezë” shkruan raporti.
“Shumë vajza preferojnë të heshtin dhe të mos raportojnë në polici përdhunimet, sepse i druhen kulturës së vendit të tyre që i turpëron dhe i dënon viktimat.” Tregon Shihoko Fujiëara, drejtor për Qendrën e Viktimave të Trafikut Njerëzor “Lighthouse”.
Pornografia e fëmijëve
Japonia prej kohësh ka patur një marrëdhënie fort të sikletshme me seksualizimin e fëmijëve. Vetëm në Qershor të vitit 2014, qeveria më në fund e shpalli të paligjshme pronësinë e materialeve filmike që përmbajnë pornografi fëmijësh.
Aktivistët e kritikuan këtë ligj sepse përjashtonte anime dhe manga,animacione të famshme të stilit japonez, të cilat përmbajnë vizatime ku tregohen abuzime seksuale me fëmijët. Por përfaqësues të industrisë e justifikuan si liri shprehjeje.
“Kultura e pasur dhe e thellë, lind nga diçka që ndoshta nuk pranohet nga të gjithë. Ne duhet të lejojmë ekzistencën e një zone ‘gri’, si të keqen e domosdoshme,” thotë Hiroshi Chiba, menaxher i shtëpisë së prodhimit të manga-ve Chiba Tetsuya Production. Më këtë deklaratë, ai pranoi se disa nga produktet e kësaj industrie vërtetë ia “shpifin” si atij, ashtu edhe kolegëve të tij.
Në një dyqan manga në Tokio, në një zonë ku shkruhet “Vetëm për adultët”, CNN i hodhi një vështrim përmbajtjes së disa prej librave. Në to, personazhet femërore kishin veshur uniforma shkolle, kapëse flokësh dhe në fytyrë kishin pamje të pafajshme, ndërsa përfshiheshin në akte seksuale (disa herë dhe të dhunshme) me karaktere më dominantë.
Në vitin 2014, Agjensia e Policisë Kombëtare Japoneze deklaroi se numri i fëmijëve të dhunuar ishte rritur me 20% nga 2011 në vitin 2012.
Në vitin 2013, më shumë se 6,400 fëmijë ishin viktima të krimeve të seksit, duke përfshirë 1,644 raste të pornografisë së fëmijëve dhe 709 raste të prostitucionit të fëmijëve. Gati 85% e rasteve kishin lidhje me internetin, sipas Policisë Kombëtare. CNN zbuloi në dyqanet adulte të Tokios, video në shitje, të cilat në kopertinë kishin gjimnaziste me uniformë që qeshnin për kamera. Disa nga këto video madje kishin si protagonistë fëmijë të shkollave fillore.
Në Tetor, organizatat dhe aktivistët kundër pornografisë së fëmijëve, i kërkuan qeverisë që të bënte më shmë për të mbrojtur viktimat e vogla dhe të penalizonte të gjithë prodhuesit dhe përdoruesit e kësaj lloj pornografie.
“Nuk mund ta mohojmë se Japonia mbetet një vend tolerant ndaj pornografisë së fëmijëve” thuhej në një peticion nënshkruar nga një numër i madh organizatash jo-qeveritare.
Peticioni kërkon rishikim të ligjit dhe ndalimin e shumë prej shërbimeve të kafeve JK, ku përfshihen masazhe nga vajza nën-moshë apo takime jashtë kafenesë.
Mosha e lejuar për marrëdhënie seksuale në Japoni është 13 vjeç, edhe pse në prefektuara dhe qytete të caktuara, kjo moshë varion nga 13-17 vjeç.
Klientët nuk shohin asnjë problem
Klientët meshkuj në kafenë “JK” të Tokios thanë se nuk shohin asgjë jo të duhur me biznesin. Një burrë, profesor universiteti, i martuar dhe në të 40-tat, i tha CNN-it se ai po bënte një kërkim për “brezin e ri”. Ai tha se nuk ishte i sigurt nëse do ta lejonte vajzën e tij 12-vjeçare të punonte në një kafe të tillë, edhe pse ai këmbënguli që asgjë e papërshtatshme nuk ndodhte atje. “Nëse vajza ime do të ishte këtu, të paktën unë e mbikqyrja” tha ai.
Një tjetër burrë, në të 30tat, u shpreh se ai menaxhonte një kafe të ngjashme dhe vinte çdo javë tek kjo ku ishte edhe CNN, “sepse është argëtuese.”
Ai pranoi se ka një lloj insinuatë seksuale për këtë lloj shërbimi, por u shpreh se kritikët duhet thjesht “të vijnë njëherë e ta provojnë vetë.”
Burimi: CNN.com
Titulli në origjinal: "Fascination with Japanese schoolgirl culture hiding a darker side?
Përkthyer dhe përshtatur nga Anabel.al