
Shumë filma i vendosin ngjarjet në vitet 1800 në kërkim të autenticitetit. Duke kërkuar mbështetjen e ekspertëve, për t’a shëmbëllyer aq mirë atmosferën e asaj periudhe, sa shikuesi të besojë se ndodhet në atë kohë, këto filma po bien pa dashur në përësritje të njëri-tjetrit. Deri aty sa, është e vështirë tanimë që një film ngjarjet e të cilit vendosen në vitet 1800, të sjellë diçka të re që të tërheqë publikun. Por më pas Alejandro Gonzalez Inarritu realizoi ‘The Revenant’, duke dëshmuar se ende ka mundësi për filma të mirë për vitet 1800, dhe se ai është padyshim një prej regjisorëve më të mirë sot për sot. Ai kthehet pas një Oscar-i si regjisori më i mirë me filmin ‘Birdman’, filmi më i mirë i Oscar-eve për vitin 2015. Inarritu mund të jetë fituesi i sfidës kokë më kokë me regjisorët e filmave të tjerë të Oscar-eve 2016.
“The Revenant’ (I rikthyeri) është një kryevepër kinematografike, i dhunshëm deri në përulje, e njëherazi aq i bukur sa s’mund t’ia heqësh sytë. Në këtë film, DiCaprio luan rolin e një kryetari të skautëve, i cili niset bashkë me të birin në kërkim të kafshëve me gëzof, së bashku me një grup gjuetarësh të tjerë. Domhnall Gleeson luan rolin e kapitenit të ekspeditës, ndërsa Tom Hardy është vendosur në rolin e një tregtari të pangopur gëzofi i cili kundërshton gjithçka bëjnë kryetari dhe kapiteni i skautëve. Hugh Glass, personazhi i Leo DiCaprios, kafshohet nga një ari të cilit i shpëton duke u hequr si i vdekur. Ai niset në kërkim të grupit të skautëve, të cilët e kanë lënë pas të vetëm. Duket si një histori e zakonshme hakmarrjeje, por në të vërtetë është më tepër se vetëm kaq.
Është një ekranizim i romanit me të njejtit titull yë shkrimtarit Michael Punke. Qëllimi i regjisorit Inarritu, ka qenë t’a realizojë duke përdorur sa më pak efekte kompjuterike që të ishte e mundur. Filmi është xhiruar në dritën e ditës pra, pa prozhektorë, në vende të Kanadasë dhe Argjentinës. E megjithatë, ka skena ku duket se vendet janë me të vërtetë të pashkelura prej njeriut. Ai do të shfaqet në ekranet e kinemave botërore më 8 janar. Kritikët na thonë të shkojmë t’a shohim dhe, duhet t’i besojmë pasi ata i njohin mirë këto gjëra!
Burimi: BussinessInsider; Përshtati: Genta Hodo