
Mes J.K. Rowling dhe Emma Watson ka pasur prej vitesh tension për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi komunitetin transgjinor. Gjithçka nisi kur Rowling bëri disa deklarata që shumë i konsideruan si transfobike.
Sipas J.K. Rowling, përfshirja e grave trans në hapësira vetëm për gra, si tualetet, dhomat e zhveshjes, strehat për viktimat e dhunës apo dhomat e spitaleve, mund të cenojë privatësinë dhe sigurinë e grave biologjike, veçanërisht ato që kanë përjetuar trauma nga dhuna seksuale.
Ajo shprehu asokohe shqetësimin se ligjet që lejojnë vetëidentifikimin gjinor mund të keqpërdoren nga burra që nuk janë realisht trans, por që mund të pretendojnë se janë gra për të hyrë në këto hapësira.
Kjo solli një valë kritikash, edhe nga ish-yjet e “Harry Potter”, si Emma Watson dhe Daniel Radcliffe, të cilët u shprehën hapur kundër saj dhe në mbështetje të komunitetit LGBTQ+.
Së fundmi, Emma Watson ka zbutur disi tonin në një intervistë me Jay Shetty, ku tha se ndonëse nuk pajtohet me mendimet e Rowling, ajo ende e vlerëson si person dhe shpreson që një ditë të kenë një mirëkuptim mes tyre. Por kjo deklaratë nuk është pritur aspak mirë nga autorja e “Harry Potter”, e cila reagoi me një status të gjatë dhe të ashpër në rrjetin X, duke e quajtur Emma-n “injorante” dhe të shkëputur totalisht nga realiteti.
Rowling thekson se Emma dhe Daniel kanë ndjerë një lloj “detyrimi moral” për ta kundërshtuar publikisht, si ish-aktorë të sagës që ajo krijoi, por sipas saj, ata nuk kanë asnjë të drejtë të flasin në emër të botës së Harry Potter-it.
Ajo shton se është absurde që njerëz të rritur si Emma, të cilët janë rritur me privilegje, të pretendojnë se e kuptojnë plotësisht realitetin e grave që preken nga politikat për personat trans.
“Ajo s’do ketë kurrë nevojë për një strehë për të pastrehët, nuk do gjendet në një spital me seks të përzier, nuk do ndahet një ditë në një qeli me një burrë që identifikohet si grua”, shkruan Rowling.
Autorja kujton gjithashtu se kur Emma u bë e famshme me rolin e Hermionës, ajo vetë po jetonte në kushte të vështira ekonomike, duke nënvizuar kontrastin mes përvojës së saj dhe jetës luksoze të Emma-s. Sipas saj, mbështetja që aktorja i jep komunitetit trans është në fakt “zhvlerësim i të drejtave të grave”, dhe nuk merr parasysh pasojat që kanë gratë e thjeshta, pa privilegje.
Rowling thotë se nuk pret që të gjithë ta mbështesin, por ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën për të folur, njësoj siç e ka bërë edhe Emma. Në fund, nënvizon se nuk është më në gjendje t’i trajtojë ish-fëmijët aktorë si fëmijët e saj të vegjël në xhirime; ata janë të rritur, dhe ajo s’ka më durim për “aktivistë që sillen si viktima, ndërkohë që ndjekësit e tyre thërrasin për dhunë ndaj meje.”