
Valentino Garavani, dizajneri legjendar italian dhe themeluesi i markës Valentino, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare në shtëpinë e tij në Romë, njoftoi fondacioni i tij. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.

Valentino ishte një nga emrat më të shquar të modës italiane dhe njihej për aftësinë e tij për të kombinuar elegancën klasike me detaje të rafinuara, duke bërë që shumë yje të Hollivudit, përfshirë Elizabeth Taylor, Sharon Stone, Penelope Cruz dhe Jackie Kennedy, të zgjidhnin krijimet e tij për ngjarjet më të rëndësishme.


Ai ishte gjithashtu i famshëm për “Valentino Red”, nuancën e kuqe të frymëzuar nga eleganca e një gruaje të moshuar që kishte parë në operën e Barcelonës, e cila u bë shenja dalluese e markës së tij.

Lindur më 11 maj 1932 në Voghera, Valentino studioi modën në Milano dhe Paris, punoi me dizajnerë të mëdhenj si Jean Dessès dhe më pas themeloi shtëpinë e tij të modës në Romë në vitin 1960.
Ai ishte i njohur për romantizmin e krijimeve të tij, thjeshtësinë që fsheh detaje të ndërlikuara dhe pasionin për bukurinë:
“Unë e dua bukurinë. Nuk është faji im. Dhe e di çfarë duan gratë: duan të jenë të bukura,” është një nga shprehjet e tij.

Valentino Garavani do të mbahet mend si një ikonë e modës, një vizionar që i dha kuptim dhe elegancë të përjetshme kuqes legjendare.
Ai nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë, por për dekada jetoi me partnerin e tij, Giancarlo Giammetti, me të cilin ndau jetën dhe suksesin.