
Regjisori dhe aktori Enver Petrovci është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Lajmin e hidhur e kanë bërë me dije familjarë të aktorit.
“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, shkruhet në një postim në Facebook që ka bërë një familjar i aktorit.
Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Ai ka studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, për aktrim dhe më pas, u diplomua në universitetin e Beogradit në Fakultetin e Arteve Dramatike.
Enver Petrovci ka pasur një karrierë shumë të suksesshme jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në mbarë ish-Jugosllavinë. Ai ka pasur role shumë të njohura në teatër, sidomos në “Atelieja 212”, ku u shqua për talentin e tij.
Në vitin 1898, Enveri u rikthye për të dhënë mësim në universitetin e Prishtinës. Ai është një ndër themeluesit dhe profesorët e hershëm të Artit Dramatik në Prishtinë.
Ndër rolet më të njohura në teatër janë:
“Idioti” - ku ishte regjisor dhe aktor
“Guxim për vrasje” – aktor
“Kush më ka faj që jam shqiptar?” – regjisor
“Dëshmitari kryesor” – regjisor
Rishtazi, ai u rikthye në vëmendjen e publikut falë rolit të tij si drejtori i shkollë, Gazmend Berisha në serialin “O sa mirë!”.