
Festivali i Filmit në Venecia nuk është thjesht një festë për kinemanë, është një panair i bukurisë dhe modës, ku çdo paraqitje në tapetin e kuq është një moment për t’u diskutuar. Këtë vit, ishte Barbara Palvin ajo që rrëmbeu vëmendjen, jo vetëm për elegancën e saj të pakrahasueshme, por edhe për një model flokësh që do ta dëshironin shuuumë nuse.
Modelja hungareze u shfaq në premierën e filmit “La Grazia” me një fustan të zi me dantellë, që ndërthurte hijeshinë klasike me sensualitetin modern. Por ajo që na la pa fjalë ishte pikërisht modeli i flokëve: i thjeshtë, por magjepsës.
Në pamje të parë, dukej si një gërshet i lirshëm boho, por nëse e shohim më në detaj vërejmë një stil të mirëmenduar: flokë të valëzuar lehtë, të kapur në një gërshet të çrregullt, ku herë pas here shfaqeshin perla të vogla delikate, të vendosura me finesë.
Ky stil është perfekt për nuset që kërkojnë një pamje natyrale, por me një detaj unik. I përsosur për dasma në natyrë apo ceremoni buzë detit.
Valët e buta krijojnë një teksturë të lehtë dhe lëvizje natyrale, ndërsa perlat e shpërndara si aksesorë, i japin pamjes një prekje sensuale dhe të rafinuar. Ky model flokësh është perfekt për nuset që e duan stilin boho chic, por duan të ruajnë një prekje elegance dhe sofistikimi në pamjen e tyre.