‘Ka njerëz që mendojnë se ne nuk e duam jetën’, ka thënë Humam al-Obeidi, një prej organizuesve të Miss Irakut, i pari konkurs bukurie pas 43 vitesh në këtë vend. Spektakli i mbajtur në një sallë të madhe të Baghdad-it, zgjodhi më të bukurën e Irakut për vitin 2015.
Ajo është 20-vjeçarja Shaymaa Abdelrahman, një vajzë e gjatë, brune, me sy jeshilë nga Kirkuku. Një bukuri tipike irakiane, është quajtur menjëherë në mediat e huaja. Ajo është zgjedhur në mënyrë unanime prej jurisë dhe publikut, të cilët në momentin kur po shpallej më e bukura e Irakut, thërrisnin emrin e saj. ‘Jam shumë e lumtur që po dëshmoj përparimin e Irakut’, ka thënë mbretëresha e bukurisë për AFP-në, teksa një turmë admiruesish po prisnin të bënin selfie me të. ‘Ishte një ngjarje madhështore, që u dhuroi buzëqeshjen fytyrave të irakianëve’, shtoi Shaymaa, e komentuar më pas si një bukuri plot zgjuarsi, që di të thojë fjalën e duhur në vendin dhe kohën e duhur.
Kjo ishte me të vërtetë një ngjarje, nga ato që tejkalojnë pritshmëritë e përhershme të takave dhe veshjeve glamoroze të vajzave me buzëqeshje plot vetëbesim. Konkurrentet me fustane mbrëmjeje pa mëngë por, jo më të shkurtër se poshtë gjurit, paraqitën përpara jurisë projektet e tyre të bamirësisë. Fillimisht spektakli u mendua të zhvillohej me kritere të ngjashme me ato të Miss Universe, ku Iraku do të përfaqësohej nga fituesja, por disa detaje si rojet e armatosura rëndë në hyrje të sallës, bëjnë të kuptohet se fituesja do të mbetet aty. Ajo u shpreh se do t’a shfrytëzonte famën për të ndihmuar nismat arsimore, sidomos për popullatën që është shpërngulur për shkak të konfliktit ushtarak. Ashtu si ajo, edhe pjesëmarrëset e tjera dhanë idenë e tyre për të ndihmuar ndryshimet që nevojiten, në njërën apo tjetrën fushë të jetës në Irak.
Iraku është gjysmë i shkatërruar nga një luftë e vazhdueshme ndaj ISIS-it, por gjithashtu është i infektuar nga konfliktet mes sekteve dhe korrupsioni. Por shpallja e më të bukurës së Irakut nën marshin e ‘Gëzimit’ të Beethoven-it, duket se shërbeu mbi të gjitha për t’u rikujtuar irakianëve se, lufta e mposht lumturinë duke shterruar gëzimin e një populli. ‘Është e mrekullueshme’, tha veprimtarja e të drejtave të njeriut, Hana Edëar, ‘Të bën të mendosh se disa gjëra mund t’i kthehen normalitetit’.
Burimi: Yahoo; Përshtati: Genta Hodo