
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Londër, pasi një i ri shqiptar, nipi i këngëtares nga Kosova, Ganimete Abazi, humbi jetën pas një sulmi me thikë në jug të kryeqytetit britanik.
Lorik Abazi, 22 vjeç, nga zona e Croydon, u godit me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës në Valley Retail Park, në Hesterman Way. Policia u njoftua rreth orës 01:15 dhe në vendngjarje gjeti tre të rinj me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse.
Loriku u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Dy të rinj të tjerë, të dy 21 vjeç, po ashtu të plagosur, u transportuan në spital. Njëri prej tyre ndodhet ende në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa tjetri është arrestuar për përfshirje në përleshje.
Policia Metropolitane ka arrestuar gjithsej shtatë persona në lidhje me rastin:
- Dy vajza 25 vjeç dhe një djalë 28 vjeç, të arrestuar nën dyshimin për vrasjen e Lorikut. Njëra prej vajzave është liruar me kusht.
- Dy djemtë 21-vjeçarë, të arrestuar për përfshirje në përleshje.
- Dy vajza të tjera, 21 dhe 22 vjeç, gjithashtu të arrestuara për përfshirje në përleshje, ku njëra është liruar me kusht dhe tjetra ndodhet në paraburgim.
Autoritetet kanë deklaruar se ngjarja besohet të ketë qenë e izoluar dhe hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat.
Reagimi i familjes
Familja e Lorikut e përshkroi atë si “një djalë të kujdesshëm, të zgjuar, me sens humori dhe me gjithë të ardhmen përpara”. Në deklaratën e tyre thuhet se humbja e tij ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm dhe se janë të shkatërruar nga dhimbja.
Këngëtarja Ganimete Abazi, e cila ishte halla e Lorikut, reagoi publikisht në rrjetet sociale duke ndarë një fotografi të nipit të saj me mesazhin prekës:
“Jeta ditka shpeshherë të jetë e padrejtë dhe të godasë aty ku dhemb më së shumti. Pusho në paqe, nipi im, shpirti im, sepse ne do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe. Ah, sa e vështirë për të të thënë lamtumirë, Loriku ynë.”

Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe komunitetin shqiptar në Britani, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të vendosur drejtësinë për 22-vjeçarin shqiptar që humbi jetën tragjikisht.