
Partia pro-europiane e Moldavisë fiton shumicën në zgjedhjet parlamentare
Partia pro-europiane e presidentes Maia Sandu, "Partia e Veprimit dhe Solidaritetit", ka siguruar një epërsi të qartë dhe një shumicë të re në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat konsiderohen vendimtare për të ardhmen europiane të Moldavisë.
Me mbi 95% të qendrave të votimit të numëruara, kjo parti kryeson me 48% të votave.
Blloku Zgjedhor Patriotik, me orientim pro-rus, ka marrë 25.6%, ndërsa blloku Alternativa, po ashtu i afërt me Rusinë, ka siguruar 8.3%. Partia populiste "Partia Jonë", që kërkon një politikë të jashtme të balancuar mes Lindjes dhe Perëndimit, ka marrë 6.3%. Ndërkohë, partia e djathtë "Demokracia në Shtëpi" mori 5.7%.
Sulm i armatosur në një kishë në Michigan, katër të vdekur dhe tetë të plagosur
Një person i armatosur hapi zjarr brenda një kishe në Michigan të dielën, para se, sipas autoriteteve, t’i vinte zjarrin godinës. Si pasojë, të paktën katër persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën.
Autoritetet thanë se një burrë 40-vjeçar ndaloimakinën e tij në hyrjen kryesore të kishës, ku ndodheshin qindra persona. Më pas, ai doli nga makina dhe hapi zjarr.
Nuk dihet ende motivi.
Orbán dhe Fico kritikojnë BE-në për shkëputjen nga energjia ruse
Kryeministrat e Hungarisë dhe Sllovakisë, Viktor Orbán dhe Robert Fico, sulmuan ashpër Bashkimin Europian të dielën, për shkak të planit të bllokut për t'u shkëputur nga nafta dhe gazi rus si përgjigje ndaj luftës së Moskës në Ukrainë.
Dy liderët, të cilët konsiderohen si zëra kundërshtues brenda BE-së për qëndrimin e tyre miqësor ndaj Rusisë, u paraqitën bashkë në përvjetorin e 130-të të ndërtimit të urës "Mária Valéria", që lidh qytetet Štúrovo të Sllovakisë dhe Esztergom të Hungarisë, mbi lumin Danub.
Në fjalimet e tyre, ata e kritikuan fort politikën e BE-së për shkëputjen nga energjia ruse, duke theksuar pasojat që kjo ka për ekonomitë e vendeve të tyre.
Irani mund të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen Bërthamore pas rikthimit të sanksioneve të OKB-së
Parlamenti iranian po diskuton si të reagojë ndaj rikthimit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara mbi programin bërthamor të vendit, të cilat hynë në fuqi të dielën në mesnatë. Një deputet ka propozuar që Irani të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Sanksionet e rikthyera përfshijnë ngrirjen e aseteve të Iranit jashtë vendit, ndalimin e marrëveshjeve të armëve me Teheranin dhe penalizimin e çdo zhvillimi të programit raketor iranian.
Këto masa u rivendosën përmes mekanizmit të njohur si “snapback”, i përfshirë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, në një kohë kur ekonomia iraniane është në krizë të thellë.
Riali iranian është në nivelin më të ulët historik, çka ka rritur ndjeshëm çmimet e ushqimeve dhe ka bërë jetesën të papërballueshme për shumë qytetarë. Çmimet e produkteve bazë si mishi, orizi dhe ushqimet e përditshme janë rritur në mënyrë drastike.