
Të paktën dy nxënës të vrarë dhe 17 të plagosur në një sulm me armë në një shkollë katolike në Minneapolis
Të paktën dy nxënës kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur të mërkurën në mëngjes në shkollën katolike "Annunciation" në Minneapolis.
Duke folur në një konferencë për shtyp, shefi i policisë së Minneapolis, Brian O'Hara, dënoi ashpër "egërsinë dhe frikacakërinë" e këtij akti, i cili ndodhi gjatë meshës së mëngjesit në kishën e shkollës.
Sipas tij, autori, 23-vjeçari Robin Westman, ishte i armatosur me pushkë, shotgun dhe pistoletë. Ai iu afrua kishës dhe hapi zjarr drejt dritareve, duke qëlluar dhjetëra herë mbi fëmijët që ishin ulur në stola gjatë meshës. Agresori më pas vrau veten.
Sulm ajror masiv rus në Kiev: Katër të vdekur, përfshirë dy fëmijë
Një sulm masiv me dronë dhe raketa nga Rusia mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, në orët e para të së enjtes, la të paktën katër të vdekur dhe 24 të plagosur, sipas autoriteteve vendore.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, bëri me dije se midis viktimave janë edhe dy fëmijë. Autoritetet paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.
Sipas Tymur Tkachenko, kreut të administratës së qytetit të Kievit, Rusia përdori dronë mashtrues, si dhe raketa balistike në sulm.
Hungaria padit BE-në për ndihmën financiare ndaj Ukrainës
Qeveria hungareze ka ngritur një padi kundër Bashkimit Europian për vendimin që i jep miliarda euro ndihmë Ukrainës nga interesat e aseteve të ngrira ruse.
Padia, e drejtuar kundër mekanizmit të njohur si "Fondi Evropian për Paqen" (EPF), fillimisht u paraqit në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, por është kaluar në Gjykatën e Përgjithshme.
Këshilli Europian vendosi vitin e kaluar që 99.7% e interesit të përfituar nga asetet e ngrira të bankës qendrore ruse të transferohen në ndihmë për Ukrainën përmes EPF-së, një program financiar që mbështet ndihmën ushtarake për vendet partnere. Ukraina përfiton nga 3 deri në 5 miliardë euro çdo vit nga ky fond.
Kim Jong-un do të vizitojë Pekinin për paradën ushtarake për përkujtimin e Luftës së Dytë Botërore
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të bëjë një udhëtim të rrallë jashtë vendit javën e ardhshme për të marrë pjesë në një paradë ushtarake në kryeqytetin kinez, Pekin, njoftuan mediat shtetërore të dy vendeve.
Parada do të mbahet të mërkurën për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, në ceremoni do të marrin pjesë 26 liderë të huaj, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtari i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei, tha se Kim Jong-un do të jetë i pranishëm në “festimet e Ditës së Fitores” më 3 shtator.