
Vuçiç: Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, pavarësisht refuzimit të protestuesve
Presidenti i Serbisë dhe aspiranti për anëtarësim në BE, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për Euronews në Beograd të hënën se qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, megjithëse protestuesit vazhdojnë të refuzojnë ofertat për debat publik apo zgjedhje të parakohshme.
Ai theksoi se ka përsëritur disa herë ftesën për një bisedë të hapur me protestuesit.
"Kjo nuk ishte thirrja ime e parë. Në fakt, ishte e pesta apo e gjashta për dialog, për një bisedë të hapur," shpjegoi ai. "U kam ofruar edhe një debat të hapur televiziv. Le të zgjedhin ata temën, le të zgjedhin studion."
Po ashtu, ai theksoi se e ardhmja e Serbisë është në BE.
Trump: Kam marrëdhënie të mirë me Kim Jong-un, dua ta takoj sërish këtë vit
Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin e ri të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, presidenti amerikan Donald Trump tha se dëshiron të takohet sërish me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, brenda këtij viti.
Duke iu referuar kalimit të tij në territorin e Koresë së Veriut nga zona e demilitarizuar në vitin 2019, Trump tha: "Të gjithë u çmendën, por unë ndihesha i sigurt."
"Ndihesha i sigurt sepse kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Kim Jong-un," u shpreh ai për gazetarët.
Ukraina sulmon tubacionin e naftës "Druzhba", përkeqësohen marrëdhëniet me Hungarinë e Sllovakinë
Sulmet ukrainase ndaj tubacionit të naftës "Druzhba" kanë bllokuar importet e naftës në Hungari dhe Sllovaki për disa ditë, duke ndezur një përplasje politike mes Kievit, Budapestit dhe Bratislavës.
Ukraina ka sulmuar objekte të naftës në territorin rus me dronë dhe raketa. Ky tubacion transporton naftë ruse përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë drejt uvropës Qendrore, ku Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të importojnë sasi të mëdha.
Të dielën, presidenti ukrainas tha se këto sulme mund të lidhen me veton e Hungarisë ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE.
"Ne gjithmonë kemi mbështetur miqësinë mes Ukrainës dhe Hungarisë. Tani ekzistenca e kësaj miqësie varet nga qëndrimi i Hungarisë," tha Zelensky kur u pyet nëse sulmet ndaj tubacionit 'Druzhba' janë një mjet presioni ndaj Viktor Orbán për të hequr veton mbi nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Rritet në 10 numri i viktimave nga sulmet ajrore izraelite në Jemen
Numri i viktimave nga sulmet ajrore të fundit të Izraelit në kryeqytetin e kontrolluar nga rebelët në Jemen, Sanaa, është rritur në 10 persona, njoftuan autoritetet shëndetësore të hënën.
Të dielën, disa shpërthime tronditën Sanaan, disa ditë pas nisjes nga Houth-it të një rakete drejt Izraelit.
Sulmet izraelite goditën një objekt të kompanisë kryesore të naftës në Jemen, e kontrolluar nga Houth-it, një central elektrik dhe një objekt ushtarak pranë pallatit presidencial, sipas njoftimeve nga Houthit dhe ushtria izraelite.