
Texas përfshihet nga përmbytje vdekjeprurëse: Të paktën 51 të vdekur, përfshirë 15 fëmijë
Ekipet e shpëtimit në Teksas po vazhdojnë kërkimet në brigjet e shkatërruara të lumenjve dhe nëpër gërmadha, në përpjekje për të gjetur të mbijetuar apo trupa të pajetë pas përmbytjeve të befasishme që goditën rajonin të premten, duke shkaktuar të paktën 51 viktima, përfshirë 15 fëmijë.
Një ditë e gjysmë pas katastrofës, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar numrin e saktë të personave të zhdukur, përveç 27 fëmijëve të zhdukur nga kampi veror i krishterë “Camp Mystic”. Shumica e viktimave u gjetën pranë kësaj zone.
Lumi Guadalupe u rrit më shumë se tetë metra për vetëm 45 minuta, duke shkatërruar shtëpi, kampe dhe automjete.
Zjarre masive në Europë mes temperaturave përvëluese
Zjarrfikësit në disa vende të Europës po vazhdojnë të përballen me zjarret pyjore që janë përhapur në mes të valëve të të nxehtit, me vatra të reja të raportuara të shtunën në Gjermani, Greqi dhe Turqi.
Në Gjermani, qindra zjarrfikës janë angazhuar prej ditësh në rajonet pyjore të Thuringisë dhe Saksonisë, përfshirë edhe rezervatin natyror Gohrischheide, pranë kufirit me Brandenburgun.
Rreth 650 efektivë emergjence ishin në terren deri në mesditën e së shtunës. Autoritetet kanë shpërndarë paralajmërime përmes aplikacioneve mobile për banorët e zonave të rrezikuara.
Zyrtarët në Saksoni e përshkruan situatën si shumë të rrezikshme.
Protesta në Tel Aviv: Qytetarët kërkojnë armëpushim dhe lirimin e pengjeve
Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Tel Avivit të shtunën, duke kërkuar armëpushim në Gaza dhe arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Kthenjini në shtëpi tani”, duke i bërë thirrje qeverisë së Izraelit të ndalojë luftën dhe të përqendrohet në shpëtimin e pengjeve.
Familjarë dhe mbështetës të pengjeve u mblodhën pasi u raportua se si Hamasi, ashtu edhe Izraeli, kanë reaguar pozitivisht ndaj një plani armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA.
Mediat izraelite raportuan të shtunën se qeveria ka vendosur të dërgojë një delegacion në Katar për të zhvilluar bisedime me Hamasin në kuadër të përpjekjeve diplomatike që po zhvillohen.
Elon Musk shpall krijimin e një partie të re politike në SHBA
Elon Musk ka njoftuar krijimin e një partie të re politike në Shtetet e Bashkuara, vetëm pak javë pas një përplasjeje publike me ish-presidentin Joe Biden dhe presidentin Donald Trump.
Përmes rrjetit të tij social X, Musk tha të shtunën se kishte themeluar një parti të re të quajtur "America Party" (Partia e Amerikës), me synimin, sipas tij, për t'u kthyer qytetarëve “lirinë e humbur”.
Ai deklaroi se kjo parti do të sfidojë sistemin dy-partiak tradicional amerikan, të përbërë nga Republikanët dhe Demokratët. Ende nuk është e qartë nëse partia është regjistruar zyrtarisht pranë autoriteteve zgjedhore, por Musk tha se do të nisë aktivitetin e saj gjatë vitit të ardhshëm.