
Trump shpall armëpushim të plotë midis Izraelit dhe Iranit
Donald Trump njoftoi armëpushimin e plotë midis Izraelit dhe Iranit. Ai thotë se armëpushimi pritet të fillojë në orët në vijim, pasi të dyja vendet “të kenë përfunduar misionet e tyre përfundimtare në zhvillim e sipër!”
Trump njoftoi se armëpushimi do të zbatohet në faza gjatë 24 orëve. Ai shtoi gjithashtu se sapo të përfundojë, ky veprim do të shënojë "fundin zyrtar" të luftës 12-ditore.
BE do të rishikojë pezullimin e partneritetit me Izraelin për shkak të shkeljeve në Gaza

Nëse Izraeli nuk e përmirëson gjendjen në Gaza, BE-ja mund të diskutojë në korrik pezullimin e marrëveshjes së asociimit me të, tha shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas.
Ajo shtoi se qëllimi kryesor është përmirësimi i situatës në terren, por nëse kjo nuk ndodh, do të merren parasysh masa të tjera.
Ndotja akustike dëmton shëndetin e miliona njerëzve në të gjithë Europën, zbulon një raport

Më shumë se 110 milionë njerëz në Europë janë të ekspozuar ndaj ndotjes akustike, e cila shkakton stres, çrregullime gjumi dhe rreth 66,000 vdekje të parakohshme në vit, si dhe rrit rrezikun për sëmundje si diabeti dhe depresioni.
Raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit thekson se dëmi nga zhurma është më i madh se nga tymi pasiv apo ekspozimi ndaj plumbit, me një kosto prej 100 miliardë eurosh në vit dhe thekson se objektivat e BE-së nuk do të arrihen pa veprime të forta.
Reth 200 zjarrfikës luftojnë me zjarret e mëdha në ishullin grek të Kiosit

Një zjarr i madh në ishullin grek të Kiosit ka vazhduar për ditën e dytë, duke detyruar evakuimin e 16 zonave, ndërsa 190 zjarrfikës me ndihmën e helikopterëve dhe avionëve po përpiqen ta mbajnë situatën nën kontroll.
Erërat e forta kanë vështirësuar ndërhyrjen, ndërsa përpjekjet janë përqendruar në mbrojtjen e zonave të banuara.