
E di që më prisnit dhe ja ku erdha! Mbrëmë ishte premiera e filmit “Kazerma”, sot e gjeni në çdo kinema. Siç më ndodh shpesh për filmat shqiptarë, më duhet ta pranoj që shkova me zero pritshmëri, që më tej, në përshtypjet e mia të mos jem shumë e hidhur dhe kritike. Një praktikë të tillë ndoqa edhe për filmin e Turjan Hyskos, i cili ishte producent, regjisor dhe aktor në këtë film. Me thënë të drejtën u nisa edhe me njëfarë paragjykimi, për një njeri që mendon se mund t’i bëjë të gjitha, por m’u kthye në boomerang.
Është e vështirë për mua ta pranoj që mund ta kem gabim, por me plot gojë e them se “Kazerma” është filmi më i mirë që mund të kem parë që kur kam ndërmarrë nismën që të shkruaj për kinematografinë shqiptare. Sigurisht, ka edhe disa gjëra që cedojnë, të cilat unë do i them si përherë, sepse ndiej se mbaj mbi shpatulla peshën e besimit tuaj për filmat shqiptarë.

Më falni për parathënien e gjatë! Ecim! “Kazerma” na sjell një reality show, ku disa njerëz bëhen pjesë e një loje në një repart ushtarak dhe ushtari më i mirë fiton çmimin e madh prej 200,000 eurosh. Të gjithë me ëndrra, dëshirën e madhe për të fituar dhe për të bërë gjithçka që t’ia dalin, përballen me një realitet të papritur, për famën, klikimet, mizorinë, të fshehtat, sekretet e paimagjinueshme dhe surprizat më të papritura.
Në këtë film nuk dua të bëj shumë spoilers, pasi nuk dua ta prish magjinë dhe kthesat e tij të papritura, ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj, por gjithsesi, do shkruaj për ato që vura re. E para, është një satirë e pastër kundrejt reality show-s! Për mua, disa nga historitë më të famshme në “Big Brother” ishin marrë dhe ishin mbuluar me një tis ironie, si dhe një tjetër fund.
Një influencë shumë e madhe nga filmat aziatikë, kujtoj këtu “Fallen Angels”. Regjia dhe fotografia, për herë të parë, nuk ka të sharë. Një paletë ngjyrash alla kinema aziatike, me një prezencë të lartë të thyerjes së dritës dhe ngjyrave të errëta, tipike për një dramë, “Kazerma” është ndoshta i vetmi film që nuk ta vriste syrin me dominimin e disa ngjyrave specifike. Ato kombinoheshin bukur edhe me kostumografinë (e cila në ca raste mund të ishte bërë më mirë, do ta shpjegoj më vonë pse), por në total ishte fantastike! Plane të mençura, të cilat tregonin POV-n e personazhit kryesor, Fredit (Igli Zarka), sërish si te “Fallen Angels”.
Më tej, një ndikim i “Substance” në atë suspancën që krijon në përgjithësi dhe në fund, një kthesë që më rikujtoi direkt “La vita è bella”. Gjithsesi, unë mendoj se frymëzimi nga të tillë filma (“Fallen Angels” është ndër të preferuarit e mi) është një “must” në kinema, pasi tregon se regjisori ka një shije dhe ndikim të mirë.
Kalojmë te personazhet:

Fredi – Igli Zarka
Fredi ishte ish-fituesi i edicionit të kaluar të “Kazermës”, i cili tanimë kishte ndërtuar familje dhe kishte edhe një djalë të vogël, Braian. Igli është fiks aktor teatri, por ndonjëherë gjithë këto gjeste dhe toni teatral, jo domosdoshmërisht duhet të vijnë në film. I kredhur në borxhe me fajde, Fredi bëhet sërish pjesë e “Kazermës”, duke “tradhtuar” besimin e gruas. Ai na transmetohet edhe një person që vuan nga një problem psikologjik dhe kalon nëpër sprova çnjerëzore, të cilat arrijnë ta shpërfytyrojnë totalisht si person, për t’i shkatërruar jetën.
Katia – Fjoralba Ponari
Totalisht një surprizë! Nëse e mbani mend, te “Luli dhe Goni i Lemes”, Fjoralbës nuk i lidhej aspak personazhi dhe ndërtimi i karakterit me atë që përfaqësonte në film, por këtë herë, më surprizoi totalisht. Aktrim i mirë, duke konsideruar që nuk është një aktore profesioniste dhe arriti të përcillte emocione. Në raste specifike, teprime me mimikat, gjestikulacionin dhe shqiptimin e fjalëve, por në total, një performancë që është zhvilluar pozitivisht, krahasuar me filmin e mëparshëm. Mes Katias dhe Fredit zhvillohet një skenë si në “Big Brother-in” me njerëz të thjeshtë, mes Olsit dhe ish-të fejuarës, por sigurisht, më kinematografike dhe e çuar në një tjetër nivel.
Aries – Turjan Hysko

Nëse më kërkohet ta krahasoj me një anti-hero, i vetmi që më kujtohet është Lex Luthor. Krejtësisht i paidentifikueshëm, ti s’e kupton se çfarë nuk shkon me të, i pushtetshëm, i plotfuqishëm, me një aura që të bënte ta urreje, por edhe në njëfarë pike, ta kuptoje se ç’sjell jetesa në një epokë të tillë. Aries, prezantuesi dhe producenti i reality show-t, ishte i fiksuar me rutinën dhe çdo ditë vishte një kimono unike, gatuante në apartamentin e tij luksoz dhe ia servirte pjatën dobermann-it të tij. Një person “pa gjini”, i cili dukej se kishte veç një fiksim, ishte cinik, i panginjur dhe totalisht çnjerëzor.
Rudina Dembacaj

Roli i saj në film ishte të menaxhonte gjithçka ndodhte brenda “Kazermës” dhe të rriste klikimet me çdo kusht. Rudina e solli në mënyrën e saj autentike, megjithatë nuk u zhvillua fare si personazh. Qysh prej fillimit, në një dialog të stërgjatur karshi Aries, personazhi i Rudinës, në shumë raste të mashtron, duke qenë se duket sikur tregon një anë emocionale, e cila e bën shikuesin të mendojë se do të ketë forcën të ndryshojë diçka, por kjo nuk ndodh aspak. Do të doja që personazhi i saj të kishte më shumë zhvillim dhe zë, duke qenë se i ndezi shkëndijat për një përparim të tillë.
Nesti – Gent Zenelaj

Nëse ka një aktor që e dua fort është Gent Zenelaj. Gjithnjë brenda rolit dhe gjithnjë i paparë! Në përshtypjen time, ishte portretizimi i Armando Kllogjerit (Maestros) dhe me humorin e hollë, transmetoi një mësues të thjeshtë, i cili u jepte mësim fëmijëve të varfër, por që për lojë e dridhte sa këtej-andej.

Valeria – Artemisa Kusi
Një vajzë e këndshme, e cila i qau performancat dramatike! Valeria, e lidhur me Kolin, përballet me një situatë të tmerrshme dhe magnituda e gjithë ngjarjes, përjetohet në mënyrë shumë të prekshme nga Artemisa. Nuk kam shumë për të thënë, pasi edhe ngjarja nuk vërtitej rreth personazhit të saj, por për aq kohë sa e pashë, më pëlqeu.
Koli – Arbër Aliaj
Le të themi që një aktrim i pranueshëm. Nuk më dha ndonjë ndjesi të veçantë, pasi kishte ca fraza që i shqiptonte si me zor. Ai lidhet me Valerian dhe gjërat bëhen goxha të errëta.
Deana – Ermira Hysaj

Më pëlqeu shumë performanca e saj! Tipike një vajzë për reality show, e cila të bënte ta urreje nga ekrani, çka do të thotë se e futi nën lëkurë rolin e saj. Më pëlqeu fakti që nuk e ndaje dot personazhin nga Ermira!
Sonja – Enisa Hysa

Një vajzë seksi, e cila në çdo sfidë dhe moment donte të dukej se sa e bukur ishte. Një parodi goxha e lezetshme për influencueset që nuk ndikojnë në asgjë, por na sjellin atë që nuk duam.
Kapteri Tiku – Gert Ferra

Gerti, përveç portretit, ka edhe një zë që të bën t’i bindesh nga ekrani. Një rol simpatik, i cili solli një kapter të pamëshirshëm me të tjerët, por të nënshtruar në shtëpi. E zakonshme, apo jo?
Kudi - Silvio Goskova

I këndshëm, me ca gjeste të lezetshme që e thyente bukur gjithë dramën që suspancën që zhvillohej në film. Do e kuptoni vetë kur ta shihni se me kë ju ngjan.
Dario – Gerhard Koloneci

Aktrim i pranueshëm, nuk kam ndonjë mbresë, përshtypje a kritikë.

Eljana – Jonida Shehu
Në rolin e opinionistes deri diku të cekët, Eljana na solli një qasje të asaj që dëgjojmë shpesh nëpër reality show. Opinione që ndryshojnë sipas situatës dhe personazhit.
Roni – Drini Zeqo
Në rolin e opinionistit! Drini edhe të dojë, nuk nxehet dot. :)
Hati

Hati bëri atë për të cilën është e famshme, por në një tjetër platformë. Ajo ishte komentuese e “Kazermës” në një podkast dhe me thënë të drejtën, kur doli për herë të tretë, prisja diçka ndryshe, por jo, ishte thjesht përsëritje. Hati ishte tranzicioni nga momenti në moment, duke mos sjellë asgjë të re.
Çfarë nuk më pëlqeu?
Siç e thashë edhe në fillim: Dialogu i stërgjatur – Në disa skena mund të ishte kursyer, pasi nis qysh prej fillimit me një monolog/dialog të tepërt, që nuk ndryshon asgjë.
Aktrimi teatral – Ka një vend ku aktrimi teatral është i duhuri! E gjetët! Në teatër. Në film bëhet i tepërt dhe ndonjëherë edhe i bezdisshëm.
Sound effects – Në përgjithësi, sound-i ishte i përsosur, përpos ca rasteve ku ishte i tepruar dhe i panevojshëm.
Tejzgjatja e skenave – Po, kishte ca skena që mund të ishin prerë më shkurt, pasi mesazhi u përcoll.
Psikologjia e ngjyrave – Në kinema, është diçka që ia kemi marrë hua aziatikëve: “psikologjinë e ngjyrave”. Përmes ngjyrave, kuptojmë fiksimet e një personazhi, personalitetin e tij dhe ndonjëherë, shërbejnë edhe si analepsë për të dhënë sinjale për skenën në vijim. Këtu kemi një problem me kostumografinë, pasi do të ishte zgjedhje shumë e mirë sikur Fred dhe Aries të mos mbanin veshur të dy ngjyrën e bardhë në të njëjtin moment. Ngjyra e bardhë tregon pastërti dhe Aries nuk e kishte. Edhe te Fredi ha debat, por e tillë ishte skena, e keqja më e vogël ishte Fredi.
Mostrajtimi i personalitetit – Fredi na paraqitet edhe si një person që ka një problem të caktuar mendor dhe në njëfarë pike, edhe vetë do të ribëhet pjesë e “Kazermës”. Kjo dëshirë nuk trajtohet fare në film.
Përsëritja e fjalëve – Katia, në 2 momente përsërit të njëjtin tekst, a thua se kanë mbaruar sinonimet.
Zhvillimi i personazheve - Mungoi në disa raste, veçanërisht me Rudinën.
Çfarë më pëlqeu?
Regjia dhe fotografia – Shumë komplimente për Xhoslin Ramën dhe për Shpëtim Baçën! Siç thashë, e ndjeva kudo ndikimin e kinemasë aziatike, por nuk ankohem. Të paktën, u frymëzuar nga kinemaja më e mirë në botë.
Suspanca – Vinte jo vetëm me veprime, por edhe nga sounds të përzgjedhur. Gjithnjë në momentin e duhur, në momente kulminante.
Muzika – Fantastike! Çdo njeri që ka shije muzikore, do e pëlqejë!
Fakti që nuk kishte asnjë reklamë – Mund të jetë keq për buxhetin e filmit, por një bekim për sytë e mi! Të gjithë ata që më kanë lexuar e dinë shumë mirë që unë kam një problem shumë të madh me vendosjen “sa koka ime” e produkteve nëpër skena. Këtu nuk pashë asnjë dhe për herë të parë, zemra m’u bë mal.
Kthesat e befta – Kur unë mendova se nuk mund të shkonte më larg, në fakt, shkoi dhe më befasoi. Meqë ra fjala, më pëlqeu shumë edhe guximi për të shkuar kaq larg dhe për të mos u stepur. Në fund, keni një 'twist' të papritur dhe do më falenderoni për faktin që nuk po e bëj spoil!
Satira dhe parodia – Por këtu ka një kleçkë! Nëse filmi nuk do ishte bërë mirë, do të ishte patetike. Fatmirësisht, “Kazerma” nuk ra pre e patetikes!
Fakti që ka aktorë të mirëfilltë - Edhe ata që nuk kanë sfondin si aktorë, sërish kanë dhënë më të mirën!
Si përfundim, vlerësimi im? 7/10 për një film shqiptar, i prodhuar totalisht nga Turjani!
Ju inkurajoj, si përherë ta shihni çdo prodhim shqiptar dhe regjisorët e profesionistët e fushës, të rrinë në petkun e profesionistit dhe të mos e marrin përshtypjen time për ters.
- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga Anxhela Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.