E dashur Anduena,
Arsyeja që po të shkruaj është pasi e di që sot dhe dje dhe parmbrëmë kam qenë në mendje tënde, e kushedi se çmendon për mua, e se çndjen për mua. Por, të them të drejtën, për këto nuk shqetësohem, pasi nuk mund të marr përsipër ndjenjat dhe idetë e njerëzve me të cilët nuk kam të bëj.
Ama, prandaj po të shkruaj, se indirekt ne kemi të bëjmë shumë bashkë.
Si fillim, po të shkruaj për të të thënë që më vjen shumë keq për atë që të ndodhi parmbrëmë. Por më vjen keq për të gjitha ato që të kanë ndodhur deri tani, dhe gjithashtu keq më vjen që e zbulove kaq vonë dhe kaq shëmtuar tradhëtinë.
Nëse nuk e ke kuptuar ende, unë jam Tjetra.
Unë jam ajo tjetra, unë jam ajo që kam ndërhyrë në jetën tënde personale e për këtë dua sinqerisht të të them "Më vjen keq".
Mbase ti pret të të them "Më Fal", por dua të të shpjegoj që unë nuk e ndjej aspak të të kërkoj falje. Mbase i vetmi më fal që do të të thoja do të ishte për kohën që ke kaluar pa dashur të besosh një realitet, dhe pse unë jam munduar shumë pak për të ta bërë të qartë që kishte diçka midis meje dhe partnerit tënd, por nuk e gjeta me vend të veproja.
Ekzistenca jote (po të flas me ti, pasi kemi shkuar me të njëjtin njeri) ka ardhur tek unë shumë e zbehtë. Thuajse një legjendë që tregohet për tu dukur interesant. Shpeshherë të kam menduar si një nënë xheloze që del me një çun të ri. Herë të tjera, si dikush që ka bërë ndonjë pisllëk dhe mban peng dikë, si me lekë si me shtëpi. Por më shpesh, të kam menduar si një femër që mashtrohet.
Unë prezencën tënde reale, dhe vlerën që ti kishe tek Denisi e kam kuptuar shumë më vonë se relacioni im me të të evolonte duke kaluar "të Dua-t" dhe "Të dashuroj".
Herën e parë që seriozisht ndjeva praninë tënde, u largova nga Denisi dhe thashë kjo ishte, nuk ka më.
Ishte veç dita e tretë. Por më pas zbulova se ende nuk kisha përftuar nga relacioni me të aq sa duhej, kështu me një zemër idiote u ktheva sërish dhe e gjeta krahëhapur. Të lumtur për kthimin tim. Kështu vazhdoi pak më gjatë. Vazhdoi gjatë pushimeve tuaja jashtë, vazhdoi gjatë pushimeve të mia jashtë, gjatë pushimeve tona (unë dhe Denisi).
Ka vazhduar, e sa herë ti me të drejtë u dukje si re në relacionin tonë, unë largohesha. Dhe kthehesha sërish.
Atë që s'kam kuptuar kurrë ka qenë se si Denisi nuk ndahej prej teje. E di pse e them? Se përpos faktit që më ka thënë se si ndjehej për mua e për ty, e shihja kur e takoja se sa i madh ishte pasioni. Megjithatë... ai nuk të la kurrë.
Një ditë vendosa ta lija me të vërtetë. I kisha dhënë 1 muaj kohë. O unë, o ti. Kemi ndejtur të përqafuar për një natë të tëre dhe trupi im është lagur nga lotët që derdhte Denisi duke më thënë, "nuk të ndaj dot, por ti e ke marrë vendimin tënd për të më lënë e unë nuk ndahem dot nga Anduena tani, pasi kam nevojë për më shumë kohë".
Duke tentuar të futem në kepucët e tua, shpresoj shumë që të ketë qenë dashuria e madhe për ty që e bënte të shkëputej nga unë, e të mos kenë qenë arsye banale.
E them duke u munduar të futem ne këpucët e tua, pasi unë gjithsesi jam Tjetra. Mos e harro.
Nuk do të të tregoj shumë mbi historinë time me Denisin, pasi dhe ti nuk ke qejf të dëgjosh për këto, por dua të të them diçka.
Unë u largova nga Denisi kur pashë se si po sillej me ty. Dhe në një anë të paktën thoja "Të paktën nuk jam ajo"; "Të paktën unë di diçka, nuk po gënjehem aq shumë".
Besoj se të dyja jemi gënjyer sa më ska. Unë kam qenë më jashtë, ti mbase më brenda. Brenga i ngel secilës.
Do të të duket absurde po të ishe dhe të më dëgjoje kur i thoja, "Denis, nëse ke një histori kaq të rëndësishme, më lër mua dhe vazhdo me të. Mos i shkaterro tri jetë. Mos shkaterro 2 histori. Nuk e meritoj as unë as Anduena të jetojmë kështu".
Por Denisi nuk më la kurrë. Unë po. Unë e kam lënë plot 10 herë, derisa u lirova nga ajo dashuri/makth.
Prandaj dhe nuk e ndjej të nevojshme të të kërkoj të falur, por dua të të them siç e nisa në fillim. Më vjen shumë keq për atë që përjetove dhe shpresoj shumë ta kalosh dhimbjen në sa më pak kohë.
Tjetra
P.S. Ne përdorim dhe të njëjtin parfum Bvlgari.
