
Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, foli në episodin e parë të podcast-it të ri të kompanisë për nivelin e besimit që njerëzit kanë te ChatGPT.
“Njerëzit kanë një shkallë shumë të lartë besimi te ChatGPT, gjë që është interesante, sepse inteligjenca artificiale shpik. Në fakt, duhet të ishte një teknologji që nuk i besohet aq shumë,” tha Altman.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kapacitetet e AI janë ende në fazat e para të zhvillimit. Miliarda njerëz në mbarë botën po përdorin tashmë inteligjencën artificiale, por siç thotë edhe vetë Altman, ajo “nuk është fort e besueshme”.
ChatGPT dhe modele të tjera (LLM) janë të njohura për aftësinë e tyre për të “shpikur”, duke gjeneruar informacion që tingëllon i besueshëm, por që në fakt është i pasaktë ose i trilluar. Megjithatë, miliona përdorues i besojnë këtyre mjeteve për kërkime, punë, këshilla personale apo edhe për prindërim.
Altman rrëfeu se e ka përdorur gjerësisht ChatGPT për pyetje rreth prindërimit në muajt e parë të jetës së djalit të tij, duke e cilësuar si një mjet të dobishëm, por edhe me rreziqe, pasi mund të japë me siguri të plotë përgjigje të gabuara.
Vërejtjet e Altman nënvizojnë një paradoks thelbësor në epokën e inteligjencës artificiale: edhe pse njerëzit janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se AI mund të gabojë, komoditeti, shpejtësia dhe rrjedhshmëria në komunikim e kanë kthyer ChatGPT në një burim që shpesh trajtohet si një mik i besuar ose ekspert profesionist.
Kjo ndjesi besimi forcohet edhe më shumë nga aftësitë e AI-së për të mbajtur mend kontekstin, për të personalizuar përgjigjet dhe për të ndihmuar në një gamë të gjerë temash, veçori që Altman dhe ekipi i tij besojnë se do të përmirësohen edhe më tej me zhvillimin e teknologjisë.
View this post on Instagram
Megjithatë, Altman paralajmëron se ky besim nuk është gjithmonë i justifikuar. Rreziku i përdorimit të tepërt të përmbajtjes që gjeneron AI është veçanërisht i madh në fusha të ndjeshme si shëndetësia, drejtësia apo arsimi. Ndërsa e vlerësoi dobinë e ChatGPT, ai theksoi rëndësinë e vetëdijes së përdoruesve dhe mendimit kritik, duke kujtuar:
“AI shpik dhe nuk duhet t’i besohet verbërisht.”
Nga ana tjetër, Altman theksoi se ruajtja e “sekreteve” të përdoruesve është thelbësore, përmes transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave.