
Demi Moore, si rrallëherë ka folur për jetën e “vështirë” të ish-bashkëshortit të saj, aktorit Bruce Willis, i cili është diagnostikuar me demencë. E ftuar në podkastin e Oprah Winfrey, aktorja u shpreh se tanimë është e vështirë dhe e dhimbshme ta shohësh Bruce.
“Është e vështirë. Është e dhimbshme të shohësh dikë që ka qenë aq i mbushur me jetë dhe i fortë, të kalojë në një tjetër gjendje të vetes së tij,” tha aktorja e “Charlie’s Angels”, e cila ka tri vajza me Bruce Willis: Rumer, 37 vjeç, Scout, 34 dhe Tallulah, 31.
Më tej, Demi shtoi:
“Por e di, mendimi im lidhet me rëndësinë e jashtëzakonshme me takimin e tyre (njerëzve që vuajnë nga demenca) në momentin që po jetojnë. Mos prit prej tyre që të jenë ata që kanë qenë, apo që ti do të doje të ishin. Kur e bën këtë, zbulon një ëmbëlsi të pabesueshme dhe diçka të butë, të brishtë dhe të dashur”.
Demi u shpreh se Bruce ka ndryshuar karakterin e tij, pasi ka nevojë për më shumë kujdes: “Ndoshta bëhet më lozonjar, më fëmijëror në njëfarë kuptimi, sepse ka nevojë për më shumë kujdes”.
Aktorja theksoi se aspekti më i rëndësishëm në një situatë të tillë është të jesh prezente.
Intervista e Demi Moore vjen pas lajmit se familja e aktorit kishte marrë “vendimin e vështirë” që ta çonte aktorin në një klinikë ku do të kujdeseshin për të në mënyrë profesionale. Megjithatë, ai do të shkojë në shtëpinë e tij në mëngjes dhe në darkë, për të kaluar kohë me njerëzit e dashur.
Bruce Willis, 70 vjeç, e bëri publike diagnozën e demencës në vitin 2022, pasi u shpreh se do të hiqte dorë nga aktrimi.