"Motoja ime e vetme është se gjithçkaje duhet t'i përgjigjesh me punë. Kur ti punon, gjithçka rregullohet. Fati është me atë që punon."
Dalina Buzi tregoi në IN Tv se nuk është e thjeshtë të jesh grua, nënë e dy vajzave dhe njëkohësisht të punosh çdo ditë për një biznes që e do shumë.
"Është e vështirë të jesh nënë e dy vajzave dhe grua në karrierë. Por, unë mundohem që mëngjesi dhe darka të jenë të tyre. Janë fëmijë shumë të mirë, kanë atë botën e tyre të përrallave", pohoi Buzi në "Tek Unë" dhe vijoi: "Jam me fat që kam një staf shumë të mirë, por gjithmonë më duhet të kontrolloj. Jam gjithë kohës në telefon duke parë sajtin e Anabel.al, ose Viaanabel, si po mbahet Instagram-i i Viaanabel-it."
Është akoma më e vështirë të menaxhoj kohën tani që Anabel-i është zgjeruar, me Anabel Events dhe dyqanin e veshjeve të dorës së dytë të luksit, Vianabel. Megjithatë, pranon se i pëlqen kur i duhet ta bëjë diçka krejt vetë. Kështu ndodhi edhe kur Elvana Gjata dhe Valdrin Sahiti i propozuan realizimin e një eventi ndryshe për koleksionin e ri të dizenjatorit.
"La Belle Epoque' ka qenë një event shumë i bukur. E para sepse e organizonin dy miq shumë të mirë të mitë. Elvanën e dua shumë, jemi shoqe prej 10 vitesh. Ajo është shumë e rezervuar dhe eventi duhet të kishte atë lloj forme. Kishim dy vjet që e diskutonim. Në nëntor shkova të shikoja ambientin dhe Elvana u zhduk, ma la në dorë. Dhe mua kur ma lë në dorë, jam njeriu më i lumtur."
Duhej gjetur një ide e veçantë dhe zgjodhën të realizonin një sfilatë private, që në Shqipëri nuk ishte bërë ndonjëherë më parë.
"Ka dy lloje sfilatash: në pasarelë dhe sfilata private në një darkë. Ne zgjodhëm këtë, është hera e parë që bëhet diçka e tillë. Fakti që ishte private, ndolli shumë kureshtje."
Vetëm 13 vajza të njohura të ekranit shqiptar ishin të ftuara.
"U ftuan klientë të përhershëm të Valdrinit; Eleonora është muza e Valdrinit; Elvana ka biznes me Valdrinin, Lori Hoxha bashkëpunon me Valdrinin për 'Top Channel', Liberta vishet prej vitesh nga Valdrini...", dhe shtoi duke qeshur: "Vërtet lista mund të jetë shumë e gjatë, po kaq ishte tavolina dhe ishte shumë e bukur, e punuar me dorë."
Ajo tregoi se vetë koleksioni i Sahitit të çonte pikërisht në këtë lloj eventi; dhoma e vogël e "Altar" u kthye në një sallë darkash mondane alla vitet '900, në "La Belle Epoque", epokën e artë kur në botë lulëzonte gjithçka, që nga ekonomia tek arti.
"Eventi duhet të ketë kuptim, jo vetëm të vësh ca qirinj, ca lule... çdo gjë duhet të jetë aty për një arsye. Në momentin kur pashë sfilatën e Valdrinit, ishim të dy me "La Belle Epoque". Kjo periudhë të çon në Francën e 1900-ës, pas luftës me Prusinë, koha kur lulëzuan piktura dhe artet...Ishte koha e bollëkut, pra edhe eventi duhet të sillte bollëk."
Ajo zbuloi edhe se momentalisht, stafi i Anabel-it po kalon në zyra të reja më të mëdha, ku do të jenë gazetaret, marketingu, eventet dhe dyqani i veshjeve të dorës së dytë të luksit, Viaanabel, ku shiten veshje firmato autentike, të cilat janë të vështira për t'u gjetur ne nje treg si ky i yni, ku shumë pak marka kanë hapur dyqanet e tyre zyrtare.
"Viaanabel është një ide që më erdhi tre vite më parë. Blej shumë dhe vesh vetëm pak gjëra që ndihem rehat. Mendova që duhet t'i shisja diku.", shpjegoi ajo,"Second hand luxury" (luksi i dorës së dytë), është një trend nëpër botë. Ka sajte si "vestairecollective" apo "realreal" që qarkullojnë qindra miliona euro në vit. Kështu, vendosa bashkë me Elona Varfin, fytyra e Viaanabel-it dhe specialistja e veshjeve, cilësisë, të hapnim Vianabel.al paralelisht me dyqanin."